Teksa në një pjesë të mirë të Bashkive procesi i numërimit të votave ka përfunduar, dolën në sipërfaqe edhe problemet e para, probleme të cilat hedhin hije dyshime për mënyrën e shpalljes së fituesve.
Në disa prej bashkive, ku madje kandidatët nuk kanë pasur rivalë, rezulton të kenë marrë shumë vota “fantazmë”, ku numri i personave që morën pjesë në zgjedhje është shumë herë më i vogël se sa votat e publikuara në faqen zyrtare të KQZ.
Kandidatja e Bashkisë së Urës Vajgurore fiton me 1766 vota “fantazmë”
Procesi i votimit në Urën Vajgurore është mbuluar me hije dyshimi. Mbrëmjen e djeshme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi zyrtarisht listën e personave që morën pjesë në votime.
Në Urën Vajgurore thuhet zyrtarisht se kanë votuar gjithsej 5900 persona, e përkthyer në shifra 19,18%.
Por në tabelat e rezultateve paraprake, pasi u mbyll procesi i numërimit të votave, kandidatja e PS, Juliana Memaj doli fituese me 7666 vota, ndërkohë që numri i personave që morën pjesë në votime ishte shumë herë më i vogël.
Juliana Memaj në fakt ka qenë e vetme ne këtë garë, pa një rival nga partitë e tjera.
Pritet që KQZ të sqarojë se cila pre dy shifrave të raportuara është gabim, për të justifikuar edhe diferencën prej 1766 votash.
Marinaj, fitues në Malësinë e Madhe? Ka në shumë vota se sa votues
Parregullsi kanë ndodhur edhe me rastin e kandidatit të Bashkisë së Malësisë së Madhe nga ana e KQZ.
KQZ ka nxjerrë fitues paraprak Tonin Marinajn, i cili garonte me Pjerin Spatharin.
Sipas KQZ në këtë Bashki kanë marrë pjesë 7600 votues, por që kandidati i PS ka fituar me 7772 vota, ndërsa Spathari ka marrë 493 vota.
Del fitues në Divjakë, procesi i numërimit të votave mbulohet me hije dyshimi
E njëjta gjë ka ndodhur edhe në bashkinë e Divjakës. Teksa KQZ ka publikuar shifrat e pjesëmarrëseve në zgjedhje për çdo bashki, kanë nisur edhe problemet.
Konkretisht në bashkinë e Divjakës numri i personave që morën pjesë në zgjedhje ishte 13 000, por Fredi Kokoneshi, i cili garoi nën siglën e Aleancës për Shqipërinë Europiane, ka fituar me 513 vota më shumë nga numri i pjesëmarrësve në këto votime. Në total ai ka fituar me 13,500 vota. Theksohet fakti se Kokoneshi nuk ka pasur kandidat rival.
As Vora nuk kënaqet me rezultatin, shton votat “fantazmë”
Në Vorë morën pjesë në zgjedhje 6120 persona, ndërkohë që fituesi Agim Kajmaku ka dalë fitues me një total prej 6,208. Kajmaku garonte i vetëm në këto zgjedhje.
Memaliaj/Kanë marrë pjesë në votime gjithsej 4150 votues- Ka fituar me -4206 vota
Gjolek Guci edhe pse ka qenë pa rival për të fituar Bashkinë e Memaliaj, në tabelat e KQZ-së rezulton që të ketë një shtim të votave. Sipas shifrave zyrtare, në zgjedhje morën pjesë 4150 zgjedhës, kandidati pa rival ka dalë fitues me 4,206.
Lushnjë, kandidati del fitues me 843 vota “fantazmë”
Sipas KQZ në Lushnjë morën pjesë në votime gjithsej 27243, persona, ndërkohë që Fatos Tushe, pa kandidat rival ka dalë fitues me 28086 vota.
Jorgo Goro i Himarës fitoi me 47 vota “fantazmë”
Jorgo Goro nuk ka pasur rival dhe doli fitues me 4209 vota, ndërkohë që në zgjedhje morën pjesë 4162. Goro ka fituar me 47 vota “fantazmë”.
Bulqizë, dalin 572 vota më tepër
E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Bashkinë e Bulqizës. Lefter Alla ka marrë 7529 vota, ndërkohë që në zgjedhje morën pjesë 7500 votues. Duhet fakti që 543 vota mori kandidati tjetër rival, Ilir Balla.
Top Channel