Në një qoshe të Tiranës gjendet dyqani me rroba të përdorura, “second hand” i Xhudit. Rudina, po që të gjithë e njohin si Xhudi, prej dy vitesh shet rroba të përdorura, ndërsa vetë i ka blerë ato që në në rini.
“Unë mund ta vesh një fustan të marr nga këto të fabrikuarat në seri, por pastaj mund të gjej disa të tjera në rrugë që kanë veshur të njëjtin fustan… dhe kjo më bezdis”, u shpreh Rudina Memaga.
Ideja e Xhudit ishte të kishte diçka të sajën ku të ndihej vetja. Ndaj, kudo që shkon për të pushuar ndalet edhe për furnizim, me dëshirën e fshehtë që njerëzit të mos vishen njësoj.
“Unë prej vitesh blija second hand apo rroba të përdorura, si të thuash kisha një si orientim dhe njohje të produkteve. Kështu që vendosa ta vija në funksion edhe të tjerëve por dhe të vetes sime për të nxjerr ndonjë të ardhur”, tha ajo.
Megjithatë, kjo nuk u mirëprit menjëherë nga kryeqytetasit.
“Këtu ka pasur një lloj ndrojtje fillimisht për të blerë rroba të përdorura, ose dhe nëse e blinin nuk e thonin. Ndërsa tani ka një çlirim”, tha Rudina Memaga.
Stili vintage i rrobave, por dhe librat e viteve 70-80, apo aksesorët e veçantë i tërheqin ditë pas dite vëmendjen shqiptarëve.
“Çmimi sigurisht është i pari, por pastaj vjen edhe cilësia, pastaj ke edhe gëzimin që blen diçka që nuk e kanë të tjerët. Është shumë qejf kur ti blen një fustan mëndafshi apo një mbajtëse revistash të vjetër dhe është komplet ndryshe nga ajo që mund të gjesh në tregun e konsumit sot”, shtoi Rudina Memaga.
Top Channel