Në kërkim të Presidentit/ BE duhet te zëvendësojë Juncker

29/06/2019 16:42

“Kërkohet një President i ri për Komisionin Europian. Puna ime këtu është një ferr i vërtetë”, ka thënë Presidenti në largim, Jean Claude Juncker.

“Po shoh me një lloj kënaqësie, argëtimi dhe pse jo edhe lumturie! Duket se nuk është fort e lehtë të më zëvendësosh mua.”

Kjo deklaratë e Juncker, është bërë një javë më parë, pas dështimit për të rënë dakord për një emër të ri. Tani, liderët e BE rikthehen në Bruksel të dielën, për një takim të posaçëm, në përpjekje për të zgjedhur atë që do të jetë Presidenti i ri i Komisionit Europian.

Presidenti i Komisionit Europian, ka përgjegjësinë për hartimin e ligjeve të reja të BE, zbatimin e ligjeve ekzistuese dhe përfaqësimin e BE në negociatat e ndërlikuara ndërkombëtare.

Vendet e BE duhet të dalin me një emër dhe më pas ai duhet të marrë miratimin e shumicës së parlamentit.

Emri duhet të vijë nga një nga familjet e mëdha politike të Europës, si p.sh. Manfred Ueber që përfaqëson qendrën e djathtë në Parlamentin Europian, ose Frans Timmermans nga qendra e majtë, ose Margrete Vestager që përfaqëson liberalët.

Por shpesh parlamenti mund të mos bjerë dakord për një emër ndaj mund të duhet një kandidat kompromisi si p.sh. Mishel Barnier, krye negociatori i BE për Brexitin ose Kristalina Georgieva nga banka botërore, ose një emër që nuk është përmendur fare.

Ka edhe vende të tjera në lojë, Presidenti i Këshillit Europian, ai i Parlamentit Europian, përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme dhe Presidenti i Bankës Qendrore Europiane.

Top Channel