Policia Italiane ka arrestuar kapitenen Gjermane të anijes së shpëtimit të emigrantëve në qendër të një mosmarrëveshjeje me qeverinë pasi u ankorua në portin e Lampeduzës.
Anija me flamur Holandez, “Sea Watch 3”, e përdorur nga organizata e bamirësisë “Sea Watch”, ka qëndruar në det prej më shumë se dy javësh me 40 emigrantë afrikanë të shpëtuar në bord.
Pas pritjes në ujëra ndërkombëtare, për ftesën nga Italia apo ndonjë vend anëtar i BE për ta pranuar anijen, kapitenia, Karola Rackete, vendosi këtë javë të lundrojë drejt ishullit jugor të Italisë, Lampeduza, por u bllokua nga anijet italiane.
Por, mëngjesin e të shtunës, Rackete hyri në port, ku anija u ankorua nën masa të larta sigurie. Pamjet e televizioneve tregonin kapitenen që merrej nga anija prej policisë. Ajo u arrestua për rezistencë ndaj një luftanijeje, akuzë kjo që shoqërohet me një dënim deri në 10 vite burg. Emigrantët ndërkohë vazhdojnë të qëndrojnë në bordin e anijes.
Mateo Salvini, Ministri i Brendshëm Italian dhe shefi i Legës së veriut, më herët kishte thënë se nuk do ta lejonte ankorimin e anijes për sa kohë që shtetet e tjera të BE nuk do të pranonin menjëherë të merrnin emigrantët në bordin e saj. Edhe në një rast të tillë, kish thënë ai, autoritetet italiane do të konfiskonin anijen dhe do të vinin para drejtësisë kapitenen se ka ndihmuar trafikantët e njerëzve.
Kapitenia është nën hetim edhe për shkelje të ligjeve të reja të Italisë kundër anijeve jo qeveritare të shpëtimit.
Top Channel