“Mos u përzieni në zgjedhje, ju lutem”, deklarata e Presidentit amerikan, Donald Trump e ka prekur shkarazi çështjen e shumë diskutuar të ndërhyrjes së përfolur ruse në zgjedhjet amerikane, gjatë takimit me shefin e Kremlinit, Vladimir Putin.

Të dy liderat u përfshinë në një bisedë me njëri tjetrin, ndërsa ndodhen në Japoni, për Samitin e G20-tës.

Ky ishte takimi i parë mes tyre, që kur Robert Mueller e mbylli hetimin e tij mbi përfshirjen e Moskës në Presidencialet e 2016-tës.

Raporti i prokurorit të posaçëm nuk gjeti prova që të dëshmojnë se stafi i fushatës së Trumpit kishte komplotuar me Rusët, për të influencuar zgjedhjet.

Në Samitin e G20-tës, gjithçka po rrotullohet rreth Presidentit Amerikan.

Konfliktet e tij tregtare me pothuajse të gjitha rajonet e botës, praktikisht janë duke përcaktuar rendin e ditës. Trumpi i akuzoi të mërkurën thuajse të gjitha shtetet e botës, se përfitojnë nga SHBA në tregtinë botërore, duke i trajtuar ata “në mënyrë të padrejtë”.

Nga ana tjetër europianët, kinezët, meksikanët dhe të tjerët kërkojnë nga Amerika që ti përmbahet rregullave.

Në margjinat e Samitit të mbajtur në Osaka, do të zhvillohet dhe një tjetër takim i pritur me vëmendje të madhe, ai mes Trumpit dhe Presidentit kinez, Xi Jinping.

Vetëm pak përpara nisjes drejt Japonisë, Trumpi kërcënoi sërish me rritjen e tarifave për produktet kineze.

Top Channel