Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka mohuar të ketë në plan për t’i vënë masë mbrojtëse apo reciprocitet Shqipërisë

Kreu i këtij dikasteri, Endrit Shala në një intervistë për Top Channel ka thënë se të gjitha barrierat jo tarifore që bizneset kosovare i kanë hasur gjatë eksportit në këtë shtet janë eliminuar që nga mbajtja e mbledhjes së dy qeverive në nëntor.

Tash, sipas tij janë vetëm dy barriera tarifore: taksa për rrugën e kombit dhe skanerit, për të cilat është duke u punuar ngushtë që të zgjidhen.

“Deri më tani nuk kemi nevojë që të marrim masa në raport me Republikën e Shqipërisë për arsye se secila pengesë e cila shfaqët gjatë të bërit biznes ndërmjet në të dyja vendeve, institucionet tona tashmë edhe me koordinatori kombëtar, secila pengesë po zgjidhet në afatin sa më të shpejtë të mundur”, ka thënë ministri Shala.

Ministri thotë të jetë i bindur se barrierat e vëna nga Shqipëria nuk janë të qëllimshme.

Ai ka folur edhe për bllokimin që Maqedonia e Veriut e ka bërë për import të peshkut të gjallë nga Kosova.

“Jemi duke pritur reagimin e sekretariatit të CEFTA-së për këtë çështje, nëse ata si organizatë nuk reagojnë për këtë masë të vendosur nga Maqedonia e Veriut, atëherë Kosova është e detyruar të merr masa reciprociteti me Maqedoninë e Veriut, por një gjë e tillë nuk e besoj se do të na ndodhë asnjëherë me Shqipërinë”, ka thënë Shala.

Në një hulumtim të Bashkimit Evropian, Shqipëria pati dalë e treta pas Serbisë e Bosnje Hercegovinës për vendosjen e barrierave tregtare ndaj prodhuesve të Kosovës.

Por, pavarësisht barrierave, Kosova ka shënuar rritje të eksportit në Shqipëri prej 26 për qind për periudhën 2015-2018.

Top Channel