7779 punonjës të policisë do të angazhohen gjatë ditës së zgjedhjeve për sigurimin e 5417 qendrave të votimit, 90 KZAZ dhe 90 vend numërimeve të votave.
Të dhënat u bënë publike nga Policia e Shteti, e cila gjithashtu shtoi se në datat 29 dhe 30 qershor, ditë këto që korrespondojnë me heshtjen zgjedhore dhe diten e zgjedhjeve, nuk do të lejoet asnjë tubim. Partia Demokratike ka kërkuar më herët leje për zhvillimin e vazhdueshëm të tubimeve në disa bashki të vendit, prej 27 qershorit deri në 2 korrik.
“Zhvillim i tubimeve dhe protestave në datat 29 dhe 30 Qershor 2019, data që korrespondojnë me periudhën e “heshtjes zgjedhore”, janë të kundërligjshme dhe të dënueshme nga ligji penal, pasi konsiderohen vepra penale të cilat prekin dhe cenojnë të drejtat kushtetuese dhe ligjore të zgjedhësve apo personave për të ushtruar të drejtën e votës, të parashikuara në Kreun e X-të të Kodit Penal. Sipas dispozitave të këtij Kodi, këto vepra penale kanë si masë dënimi atë me burgim nga një deri në pesë vjet”, u shpreh Albert Dervishaj, drejtor i Rendit Publik në Policinë e Shtetit.
Për sa i përket sulmeve të bëra drejt KZAZ- ve si dhe veprave penale të cilat prekin procesin zgjedhor, Policia e Shtetit bëri të ditur se janë përfshirë 250 persona prej të cilëve 59 janë arrestuar, 138 ndiqen në gjendje të lirë dhe 53 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Top Channel