Veliaj mbyll fushatën/ Majko: Më 30 qershor votojmë për të ndryshuar Tiranën dhe gjithë Shqipërinë

27/06/2019 19:32

Partia Socialiste po zhvillon takimin përmbyllës të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Kandidatët për këshilltarë që i bashkohen ekipit të Erion Veliaj bënë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa theksuan se Veliaj është njeriu i duhur për të vijuar projektet transformuese të kryeqytetit.

Një nga përfaqësuesit më të lartë të PS, Pandeli Majko theksoi se 30 qershori është data kur të gjithë shqiptarët do të votojnë për të ndryshuar Tiranën dhe gjithë Shqipërinë. Nga mitingu përmbyllës elektoral në kryeqytet, deputeti Majko theksoi se PS nuk frikësohet as nga molotovët dhe as nga të fortët, pasi nuk ka asnjë ndalesë për të shkruar dhe për të ushtruar të drejtën kushtetuese të votës në Shqipëri.

“Jemi mbledhur sot këtu në këtë shesh simbolik me emrin Sheshi Europa nën hijen e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu sepse ne në 30 qershor do të jemi ushtarët e perëndimit në kutitë e votimit. Jemi ushtarët e perëndimit dhe këtë e dëgjuam edhe nga zëri i Amerikës, nga zëri i lirisë. SHBA folën qartë dhe vendosën pikat mbi i. Data 30 qershor do të jetë data e votimeve. Jo vetëm perëndimi por edhe shumë gjëra të tjera që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe shqiptarët janë sot të rëndësishme për cilindo. Ajo që duam të themi sot nga sheshi i Europës dhe atyre që kanë vendosur të mos marrin pjesë në votime. Duam t’ju themi si vëllezër dhe motra, ne socialistëve mund të na mundi vetëm te kutia e votimit. Ne as kemi pyetur , as do pyesin për molotovë, forcë, të fortë dhe ndalesë për të shkuar dhe për të ushtruar të drejtën tonë kushtetuese të votës në Republikën e Shqipërisë. Ndaj vëllezër dhe motra, 30 qershori megjithë refuzimin e një pjesë, që janë pjesë e jona janë shqiptarë, do shkojmë për të votojmë edhe për ata për të ndryshuar Tiranën dhe për të ndryshuar Shqipërinë”, tha Majko.

Top Channel