Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar me 11 vota pro për të zgjatur qëndrimin e Violeta Shkurtës në krye të Prokurorisë së Fierit. Shkurta u emërua në muajin prill përkohësisht drejtuese e organit të akuzës në Fier, por do të vijojë ta mbajë këtë detyrë edhe për tre muaj të tjerë.

I njëjti vendim është marrë edhe për Arben Dylën, i cili është emëruar përkohësisht në krye të Pokurorisë së Lushnjes. Me 10 vota dhe pro dhe vetëm votën e Gentian Osmanit kundër, KLP miratoi zgjatjen e qëndrimit të Dylës në krye të organit të akuzës në Lushnje.

Shkurta dhe Dyla u emëruan në këto detyra pas shkarkimit të Fatmir Lushës dhe Çlirim Shahinit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Ndërkohë, pas vendimit të marrë sot nga KPK për shkarkimin e Alketa Nushit nga detyra, KLP ka miratuar me 11 vota pro që në postin e drejtueses së Prokurorisë së Kukësit ajo të zëvendësohet nga Edmond Kariqi. Kariqi do të drejtojë përkohësisht organin e akuzës në qytetin verilindor të vendit.

Top Channel