Nga shkollat dhe kopshtet e reja, tek Teatri i ri i Kukullave dhe Kopshti Zoologjik, Veliaj prezanton projektet

26/06/2019 13:09

Kryeqyteti do të ketë një teatër të ri të kukullave që do të plotësojë të gjitha kushtet për të mikpritur të vegjlit e qytetit. Gjatë një takimi të kryeministrit Rama dhe kandidatit socialist për Bashkinë e Tiranës, Veliaj me banorë të njësisë pranë Komunës së Parisit, kryebashkiaku zbuloi se plani i bashkisë është ndërtimi i teatrit të ri të kukullave, ndërkohë që godina aktuale do të shërbejë si muze i parlamentit të parë shqiptar.
E ndërtuar në vitin 1925 nga shteti shqiptar, ajo ka qenë selia e legjislativit shqiptar në vitet 1925-1944.

Kryebashkiaku zbuloi edhe disa nga projektet infrastrukturore që prekin Njësinë nr;. 5 veçanërisht në infrastrukturën arsimore. “Midis Parkut Olimpik dhe një prone private aty do të bëjmë shkollën “Dritëro Agolli”, një shkollë e integruar 9-vjeçare me të mesme, e cila na zgjidh problemin. Që kur ke bërë ti shkollën “Zef Pëllumbi”, te kjo lagje nuk është bërë më shkollë e re. Ndërkohë që, lagjja është 3-fishuar, gjithë zona e kodrës sipër shkojnë nëpër shkolla të tjera në Tiranë; vetëm trafiku, furgonët në mëngjes shkaktojnë vonesa, ndaj shkolla e re është një zgjidhje super se do të jetë një pikë nevralgjike”, tha Veliaj.

Puna do të vijojë edhe me kopshtet dhe çerdhet, të cilat do të ndërtohen në bashkëpunim edhe me biznesin. “Të njëjtën gjë po bëjmë tani me kopshtet, çerdhet. Për shembull, ky pallati këtu ka një terren mbrapa, që do të bëhet një çerdhe dhe kopësht, se banorët janë më të interesuar të blejnë në një vend ku tashmë ka edhe shërbime mbështetëse për fëmijët se sa në një vend ku duhet të kërkojnë çerdhe dhe kopshte. Kështu që, kemi fituar 15 terrene për kopshtet e ardhshme që mos të harxhojmë lek me shpronësime. Ai njësoj do e shfrytëzojë, ia çon intensitetin këndej dhe e lë bosh pjesën e çerdheve”, tha Veliaj.

Një nga projektet që do të nisë Veliaj në mandatin e dytë është dhe i kopshtit zoologjik dhe botanik. Kryebashkiaku bëri me dije se sapo Bashkia të ketë gati pronësinë edhe mbi Kopshtin Botanik do të nisë puna për super projektin që do të krijojë një hapësirë moderne dhe një destinacion të ri për të gjithë adhuruesit e natyrës. “Na e kaloni ju javën tjetër VKM-në që na jep Kopshtin Botanik, që të kemi pronën dhe të bëjmë prokurimin mbi pronën. Kështu që, VKM-ja javën tjetër na kalon pronën, dhe ne për një muaj fillojmë. Ka dalë shumë bukur, kemi menduar që lidhjen ta bëjmë një tunel, që lidh kopshtin botanik dhe kopshtin zoologjik”, deklaroi Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA