“Përtej dritareve po binte muzgu. Qielli ishte mavi, njëlloj si vulat mbi trupin e Idës. Dhembja fizike ishte rikthyer. I kishte pushtuar edhe të përbrendshmet. Lëvizi gjymtyrët për të parë nëse i bindeshin; u përpoq të kthehej mbi kurriz, por nuk arriti.
Plagët i përcëllonin sikur t’i ngulnin spica pishe. Nga kampi i pazarakëve vinin tingujt e muzikës së ballos popullore. Lutej që Viku a ndonjë shoqe tjetër e kursit të fusnin kokën te dera për ta përshendetur. Të paktën ta ndihmonin të hiqte zhelet e grisura e të vishte këmishën e natës. Apo, tani që ishte bërë objekt i një fletërrufeje publike, do të nisnin t’i shmangeshin? I shkoi mendja te Leksi. Ndonjë koleg, apo epror i zellshëm do të ngutej t’i rrëfente “bëmat” e të fejuarës në kryeqytet. Cili do të ishte reagimi i tij? Ndoshta, më në fund, do t’i hapeshin sytë e do të kuptonte thelbin gjakatar të sistemit.”
Është ky vetëm një pasazh i shkurtër i romanit të parë të Anisa Markarianit, ‘15 ditë prilli’. Pas një serie tregimesh botuar disa vite më parë, kjo prurje e re është një sprovë letrare e një lloji tjetër, të cilën aktorja e dashur dhe shumë e njohur për publikun shqiptar, tashmë si shkrimtare e sjell për lexuesin shqiptar. Romani, shtillet si një kronikë ngjarjesh të ngritura mbi groteskun të cilat me gjithë zymtinë e përgjithshme, të bëjnë të qeshësh me notat e humorit që ka fund e krye. Situatat surreale të çojnë ndër mend romanet e realizmit magjik. ‘15 ditë prilli’, është një roman, që ngre brenda vetes pikëpyetje të rëndësishme për mënyrën, si e kemi jetuar të shkuarën e si po e projektojmë të ardhmen.
Në Vitrinën e Librit për romanin ‘15 ditë prilli’, ngjarjet që ai përcjell dhe një brez i cili e ka shumë të vështirë t’i largohet të kaluarës komuniste kemi të ftuar një studiues të njohur, shkrimtar dhe publicist gjithashtu, z. Luan Rama.
Z. Rama mirëserdhe sërish në Vitrinën e Librit!
M. Stafa: Një libër jo kujtimesh sigurisht, dhe as një roman autobiografik nga Anisa Markarian që vjen këtë radhë. Cfarë është në thelb ky libër?
L. Rama: Ky është një libër afresk. Një roman atipik, si ai George Orëell ‘Viti 1984’ ku ngjarjet dhe personazhet vendosen në një kohë e regjim diktature po ngjan që zhvillohen edhe tani. Në qendër të librit është banorja e dashuruar në qytetin –bunker, intelektualja e asfiksuar nga despotizmi ideologjik, artistja e dënuar për evazion ëndrrash. Të gjithë ne e kemi jetuar atë epokë të marrë, ashtu si dhe ajo. Anisa Markarian rikthehet sërish me një vepër –apologji për veten, për të gjithë ne. Në atë afresk hijerëndë, në tone të errëta, si në tablotë e fundit të Gojas «pintura nera», ku në të zezën gjendet ngjizje e së kuqes, dëshirat e fjetura, britma ngazëllimi në fshehtësi, pikërisht aty bota e njeriut jeton dhe në një hon tragjik. Një libër dëshmi, një përjetim i dhimbur, sa personal aq dhe kolektiv, me të njëjtin afresk të krijuar shumë vite me parë nga George Orëell në romanin e tij ‘Viti 1984’.
M. Stafa: Ka dy mënyra për tu ndarë nga e kaluara. Ta pranosh atë duke e rrëfyer si dhe e dyta të projektosh tek ajo të ardhmen. Kështu thuhet prej studiuesve të fushës. Romani ‘15 ditë prilli’ megjithëse përshkruan histori të rinjsh gjatë kohës së komunizmit nuk ishte një roman i mbushur me urrejtje, cfarë e bën atë akoma dhe më të vlerësueshëm sa i përket refleksionit që duhet t’i bëjmë një pjesë të historisë sonë. Vërej se ka një dëshirë në brezin tuaj të rrefeni, të rrëfeni atë cka nuk është rrëfyer mirë sa i përket historisë shqiptare gjatë komunizmit. Kam të drejtë në këtë konstatim?
L. Rama: Po, sigurisht. Na mundon një e kaluar që nuk është rrëfyer plotësisht. Ndoshta vetëm gjysma e saj apo ndoshta vetëm një e treta po kjo s’ka rëndësi. Rëndësi ka që të flasim e të shkruajmë dhe kur ajo vjen në forma të ndryshme ta lehtëson ndërgjegjen. Këta idhuj që ne i kemi pasur gjatë tërë jetës sonë, duhet ta bëjnë të parët sepse tek këta qëllon e besueshme cdo gjë. Ata kanë qenë fytyrat me të cilat ne jemi rritur dhe na kanë shoqëruar në jetën tonë, qoftë për ju më të rinjtë por edhe për ne me të cilat kemi pasur shoqëri dhe punë. Ajo që dua të theksoj është se në romane të tillë ku shkruhet për të kaluarën sigurisht dëshmitë historike janë të paevitueshme. Nuk ka aty asnjë shtojcë imagjinare që mund të anashkalohet.
M. Stafa: Kam shumë merak që ky roman të lexohet nga të rinjtë, për njohje të asaj pjese të historisë por jo vetëm. Që disa përcudnime që i janë bërë jetës në atë kohë të mos ripërsëriten më apo jo?
L. Rama: Po si dhe e thashë ky është dhe qëllimi i shkrimit e rishkrimit të këtyre historive. E kaluara historike përsëritet. Si dhe ka dëshmuar njerëzimi harron shpejt. Ndaj librat janë ata që mbesin e kur cdo brezi do t’i duhej të shkojë drejt bibliotekës për të parë se cfarë është bërë në atë epokë, do shohin me kujdes dëshmi të gjalla të kësaj historie totalitariste që ka jetuar cdo shqiptar a intelektual, punëtor a nëpunës.
M. Stafa: Anisa Markarian është një mjeke në profesion megjithatë dallon për një larmi të gjuhës shqipe, një laborator të fjalës që ka përdorur në romanin e parë të saj. Cfarë komenti keni?
L. Rama: Shqipja e Anisës tingëllon e bukur me neologjizmat e saj, me atë gjuhë plot sqimë, sa tokësore dhe shpesh në zhargone, aq dhe e kërkuar, e praruar, ku dhe një skenë e bukur erotike tregohet me një pasuri leksike të jashtëzakonshme. Mund ta lexoni si këtu në këto pak radhë… “… Paraloja lëngëzore kishte marrë fund. Ishin ngacmuar, drithëruar, mikluar, torturuar. Ishin pikëtakuar. Kishte mbërritur çasti i puthitjes. Çasti kur kërkohet dëgjim (më saktë përgjim) dhe bindje e verbër.
Top Channel