E lajmëruan se do e dëbojnë/ Protestë për nxënësin shqiptar, mblidhen 6 mijë firma

20/06/2019 19:44

Mijëra britanikë janë ngritur në mbështetje të një nxënësi shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar që rrezikon deportimin.

6 mijë firma ka mbledhur deri tani peticioni i nisur të martën nga mësuesi i djalit. 18 vjeçari Stiven Bregu, u trafikua nga Shqipëria për në Britaninë e Madhe në vitin 2015, kur ishte fëmijë, ishte vetëm dhe shpresonte që në këtë mënyrë t`i largohej një jetë të dhunshme në shtëpi.

Trafikantët e braktisën në “Keynsham” pranë Bristolit. Stiveni, që nuk dinte asnjë fjalë anglisht, u dërgua në një qendër për të mitur, ku dalëngadalë nisi jo vetëm të mësonte gjuhën, por edhe të shfaqej si një nxënës tepër i përkushtuar.

BBC e quan ‘nxënës të jashtëzakonshëm”, dhe duket 18 vjeçari e meriton plotësisht këtë përcaktim. I riu shqiptar ka bërë kërkesë të rregullt për azil, por i është refuzuar. Stiveni ndërkohë e ka lidhur më Anglinë te ardhmen e tij, për të cilën ka punuar shumë.

Mësuesi i tij kujdestar, Rob Shaw thotë se në një moment si ky, nuk ndihet krenar që është shtetas britanik. Sipas Shaw, 18 vjeçari sapo ka përfunduar shkëlqyeshëm provimet ne biologji, kimi dhe matematikë, ndërsa drejtoresha Elisabeth Gilpin e përshkroi si një “nxënës të rrallë dhe një pasuri të madhe për shkollën”.

Top Channel