U premtoi rikonstruksionin e rrugëve në 2015, Veliaj në familjen Duzha: E mbajta fjalën, në 30 qershor votojmë për të vijuar punët e mira

18/06/2019 17:13

Katër vjet më parë, kur Erion Veliaj kandidonte për herë të parë për të drejtuar Bashkinë e Tiranës, familja e Klajdi dhe Xhensila Duzhës nga Lapraka e mikpritën për drekë kandidatin socialist, për t’i shprehur shqetësimet dhe çfarë dëshironin të ndryshonin në lagjen e tyre.

Në qershorin e 2015, biseda u fokusua te problemet me rrugët e pashtruara e gjithë gropa, mungesën e ndriçimit, pastrimin e lagjes dhe shkollat me dy turne. “Këtu nuk është vënë dorë fare, qoftë me rrugën, me ndriçimin, qoftë me gjërat që na rrethojnë. Po krijojmë familje, si mund të jetojmë kur infrastruktura s’ka standarde? Po këto gropat nëpër rrugë, kaq e vështirë është për t’i eleminuar?”, ishin shqetësimet e familjes Duzha në 2015.

Në mbyllje të mandatit të parë si kryebashkiak i Tiranës, Erion Veliaj u rikthye në shtëpinë e familjes Duzha, por kësaj here me të gjitha premtimet e mbajtura. Sot e gjithë lagjja midis rrugëve “Muçi Zade” dhe “Andon Frashëri” është shtruar me asfalt, rrugët janë pajisur me trotuare, ndriçim, sinjalistikë, si dhe gjithë infrastrukturën nëntokësore, ndërkohë që në Njësinë 11 kanë nisur të ndërtohen dy shkolla të reja: “Nënë Tereza” dhe “Kristo Frashëri”, që do të eleminojnë mësimin me dy turne.

“Ju premtova që do kthehesha dhe e mbajta fjalën. Gëzohem shumë që ju shoh. Më priu mbarë dreka e herës së fundit këtu. Mund të të prijë mbarë, por nëse nuk ke bërë punën, nuk kthehesh dot dy herë”, tha Veliaj.

Familjarët Duzha falenderuan kryebashkiakun për fjalën e mbajtur dhe shtuan se infrastruktura ka sjellë zhvillimin dhe emancipimin e të gjithë banorëve. “Kur erdhët këtu para 4 vitesh, Lapraka është zonë e re, komunitet i ri, kishte mungesë infrastrukture, bashkëjetesa ishte e vështirë. Erdhët edhe premtuat praktikisht që do merrni angazhim që komuniteti të kishte një farë përmirësimi. U angazhuat si bashki dhe bëtë një rrugë me standarde, por jo vetëm që e shtruat, por bëtë edhe trotuare, sollët ndriçim, kanalizime, uniformizuat fasadat”, tha një prej familjarëve.

“Kjo është prezencë e bashkisë në komunitet, këto janë gjëra realisht të prekshme sepse ndryshon e gjithë cilësia e bashkëjetesës në komunitet. Kjo është më e rëndësishmja. Pastaj, gjithkush ka bindjet e veta, por ju keni qenë prezent dhe për këtë ju falënderoj”, tha një tjetër.

Veliaj tha se krahas investimeve në infrastrukturën rrugore, në sheshe e lulishte, një punë shumë e mirë është bërë për çerdhet dhe kopshtet, të cilat sot për nga cilësia dhe shërbimi ia kalojnë edhe atyre private. “Më kujtohet nga biseda e para 4 viteve që diskutuam për çerdhet e kopshtet, i kemi mbaruar të gjitha. Tani frekuentimi jo vetëm që është 100% nga 30% që ishte, por s’më kishte ndodhur asnjëherë që të më hynin mik për të futur fëmijët në çerdhet dhe kopshtet publike. Madje, janë njerëz me mundësi për t’i çuar edhe te privati, por thonë se nuk është punë lekësh, thjesht e dua aty. Tani sfida është të ndërtojmë të reja”, u shpreh Veliaj.

Ai nënvizoi se krahas investimeve të realizuara në Njësinë 11, është shpëtuar edhe fusha e sportit që administrata e shkuar e kishte dhënë për pallat. “Kur kam qenë herën e fundit këtu, fusha ishte bllokuar për ndërtim. Pra, fillimisht e hoqëm nga mundësia për t’u ndërtuar. E vërteta është se mirë apo keq, dikush ka letrat e pronës. Vërtet s’e lëmë të ndërtohet, por nga ana tjetër edhe s’ia rrëmbejmë dot. Kështu që, këtë vit do e shpronësojmë, do t’i japim lekët siç bëjmë për një kopsht, për një shkollë, për një çerdhe, dhe prona kalon në emrin tonë. Hapi i parë është gjysma e premtimit, s’do bëhet pallat, ajo u ndalua, kurse për pjesën e dytë të premtimit, duhet t’i çojmë lekët në llogari, përpara se të fillojmë nga puna”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës u shpreh se një tjetër investim i rëndësishëm që prek jo vetëm këtë zonë, por edhe njësitë e tjera, është rehabilitimi i Bregut të Lumit. “Nuk e di, ke dalë ndonjëherë te Bregu i Lumit? Kemi bërë një transformim të jashtëzakonshëm; ma përmbytej rregullisht, nga 3-4 herë në vit Njësia 11, 9, 8 dhe 4. Kjo është fushata e parë që nuk flasim më për përmbytje, këtu përmbytej Don Bosko xhanëm”, shtoi Veliaj.

Një nga projektet madhore, nga i cili përfiton edhe Lapraka është ai i dyfishimit të prurjeve nga Bovilla. “Tubacioni i ri që vjen nga Bovilla te sheshi “Shqiponja”, Laprakë, dyfishohet; filtrimi në Bovillë është dyfishuar, po ashtu edhe tubi që sjell ujin nga Bovilla deri te filtruesi. Në momentin që kemi rritur dy herë kapacitetet, do e ndjejmë ndryshimin”, tha Veliaj.

Më tej, ai kujtoi se, në këto 4 vite, Bashkia e Tiranës është përballur vazhdimisht me kundërshti të opozitës për çdo projekt, përfshi këtu edhe ato që sot janë kthyer në ikona të Tiranës, si Këndi i Lojërave te Parku i Liqenit, Pazari i Ri, Kalaja e Tiranës etj. “Kur shqiptarët e ndajnë mendjen me mbaruar ndonjë punë, ecën puna. Po e ndanë mendjen se do i vënë pengesa njëri-tjetrit, asgjë s’bëhet. Unë s’kam bërë një projekt deri më sot pa sherr. Çdo gjë me sherr: lodrat me sherr, por që do vinte dita që Presidenti i Republikës do kundërshtonte lodrat s’e kisha menduar ndonjëherë; te Pazari i Ri erdhi gjithë këshilli bashkiak i PD të ngujohej aty, trashëgimi thoshin, e u thosha: po çfarë trashëgimie, aty është baltë. E njëjta gjë te Kalaja e Tiranës, ulërima, forume, trashëgimia. Kur mbaron puna, ajo është përgjigja”, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi se shumica e njerëzve i duan gjërat e mira. “Është vetëm një pakicë që bën zhurmë, shumica e njerëzve janë pozitivë, janë inkurajues, mbështetës, dhe ne ngaqë dëgjojmë një pakicë që bën bërr-bërr, na duket sikur janë shumica, por është krejt e kundërta. Sepse robi i mirë e sheh çdo gjë në funksion të familjes së tij, nuk bën llogaritë e shefit politik, por llogaritë e familjes. Ajo që më ka impresionuar është se shumica e njerëzve janë realisht me zemër, mbështetës të gjërave të mira”, tha Veliaj.

Sa i përket projekteve të 4 vjeçarit të ardhshëm, Veliaj veçoi atë për transformimin e Piramidës në shkollën më të madhe të teknologjisë. “Një gjë që e kam me shumë qejf është projekti i Piramidës, që duam ta kthejmë në shkollën më të madhe alternative për çuna e goca të vegjël, ku të mësojnë si kodohet me kompjuter. Sot, të thuash që di anglisht nuk impresionohet njeri fare, por po t’i thuash që di të kodoj, të bëjë softuer dizajn, të bëj animacion, kjo është e ardhmja”, shtoi ai.

Kryebashkiaku foli edhe për rëndësinë që ka data 30 qershor, që qytetarët të dalin të votojnë, pasi vetëm kështu nuk do lejojnë pengimin e punëve të mira në Tiranë. “Kur dëgjoj këta personazhet interesantë që thonë do ta bëjmë si ‘97-ta, u them nuk iu nderon që e thoni këtë, se një komb i mirë do që ta harrojë ditën e vet të zezë. Ndërkohë, këta jo vetëm që e thonë, por e thonë me krenari: do ta bëjmë si 97-ta! Kujt do t’ja bëni? A është ekonomia jonë si Gjermania, jo nuk është, por po rritet çdo vit në 4%. Kush mendon sot, një vend anëtar i NATO-s, që do shkojnë njerëzit të marrin armë nëpër depo dhe të vriten me njëri-tjetrin? Dhe për çfarë, për partitë? Sot partia kryesore e njeriut është te kjo tavolinë, shtëpia e vet, pastaj vijnë bindjen politike”, tha Veliaj.

Ai shtoi se është e rëndësishme që çdokush ta trajtojë 30 qershorin si një feste, si një ditë që na ndan nga e shkuara që kërkon të mbajë peng vendin. “Në datën 30 qershor duhet t’u japim një leksion qytetarie, ta trajtojmë si festë”.

Duke u ndalur te fushata elektorale, kandidati socialist theksoi se ajo, ashtu si në 2015, është përqendruar te hallet që shqetësojnë qytetarët, madje bëri të ditur se gjatë kësaj fushate do të bëhet edhe një bilanc i punëve dhe premtimeve të mbajtura dhe punëve të tjera që kanë ende nevojë për më shumë vëmendje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA