Mafia e rërës shkatërron plazhet/ Marok, raporti i OKB: Rritet kërkesa globale, por rëra po mbaron

17/06/2019 10:22

Mafia e rërës në Marok po kërcënon seriozisht brigjet detare. Në plazhin Monika në qytetin Mahomedia vetëm një dunë rëre ka mbetur e paprekur.

Programi i kombeve të bashkuara për mjedisin nxori një raport ku fajësonte shfrytëzimin tej çdo kapaciteti dhe mafien e rërës, se ka shkatërruar plazhet e Marokut.

“Mafia po vjedh trashëgiminë natyrore të të gjithë vendit. Rëra në brigje vidhet natë e ditë me ndihmën e politikanëve”, tha Jawad Hadi, sekretar për mbrojtjen e mjedisit.

Sipas eksperteve më shumë se 32 milionë metra kub rërë e imët janë përdorur në ndërtim. 16 milionë prej tyre kanë një origjinë të panjohur. Mjedisi dhe ekosistemi janë zhytur në kaos. Plazhet e njohura që tërheqin turistë janë shndërruar në brigje me gurë.

Sipas raportit të OKB kërkesa për rërë po rritet në nivel global, por ky material ndërtimi ka një burim të kufizuar, ndaj përdorimi pa kontroll dhe sidomos shfrytëzimi ilegal mund të shkaktojë dëme të mëdha në mjedis.

Top Channel