Stadiumi i Realit të Madridit u elektrizua këtë të enjte me prezantimin e Eden Hazard, futbollistit që tifozët shpresojnë se do të rikthejë entuziazmin dhe trofetë pas një sezoni të dështuar.
Mesfushori belg për të cilin iberikët shpenzuan 100 milionë Euro, u prezantua në një konferencë për shtyp në një sallë të tejmbushur me kamera dhe gazetarë, ndërsa daljes publike i parapriu presidenti Florentino Perez.
“Është një ditë speciale për ne dhe ata që duan klubin pasi vjen një lojtar i aftë të konvertojë futbollin në dicka argëtuese. Historia jonë në 117 vjet është bazuar në futbollistë të jashtëzakonshëm, si ai që prezantojmë para jush” tha Florentino Perez, President i Real Madrid.
“Shpresoj se do të luaj me këtë fanelë brenda një muaji dhe të nis të fitoj tituj. Ishte ëndrra ime të luaja me Realin që fëmijë dhe tani jam këtu duke shijuar këtë moment” tha Eden Hazard.
Reali i Madridit është transformuar ndërkohë në një supermarket të kushtueshëm, me një mbinkarkesë futbollistësh të cilët duhet ti shesë brenda dy muajve.
Në total rezultojnë 37 lojtarë të federuar dhe rregullorja në kampionatin spanjoll vendos limitin me 25. Si të mos mjaftonte kjo, Los Blankos duhet të rikuperojnë milionat e shpenzuar për lojtarë si Mendi, Joviç apo Eden Hazard.
Top Channel