Idrizi e pranon Ramën në tryezë edhe si kryeministër: Të reflektojmë. Nuk ka datë për ‘vendoret‘

13/06/2019 20:06

Shpëtim Idrizi i PDIU-së ishte opozitari i radhës që hyri në Presidencë për t’u takuar me Ilir Metën për krizën politike dhe shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale. I pyetur nga gazetarët në përfundim të takimit nëse do e pranonte Edi Ramën si kryeministër, në një tryezë të mundshme politike, Idrizi nuk u shpreh kundër duke theksuar se “kur flasim për tryezë politike, çdo kryetar i një partie ka të drejtën të ulet.”

Ndryshe nga ky qëndrim i Idrizit, kryeopozitari Lulzim Basha mohon çdo dialog me Ramën, për sa kohë që ai qëndron në pozitën e kryeministrit të vendit.

Në lidhje me krizën, kreu i PDIU-së tha se vendi po rrëshket drejt autoritarizmit, ndërsa vlerësoi aktin e presidentit për të shfuqizuar 30 qershorin, pasi ndryshe do të rrezikohej pluralizmi politik.

Sa i përket datës së re për zgjedhjet vendore, Idrizi tha: “Nuk është dita për të diskutuar për datën e re, por të ikim nga marria dhe spiralja ku jemi futur, që po e nxjerr vendin nga normaliteti.”

Idrizi tha gjithashtu se kryeministri Rama duhet t’i thërrasë arsyes dhe se pas dekretit kushtetues të Metës në Shqipëri nuk ka një datë për zgjedhjet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA