Marrjen si të pandehur nga Prokuroria për kontratat e lobimit në SHBA, kryeopozitari Lulzim Basha e konsideron akuzë dhe hetim politik të urdhëruar nga kryeministri Edi Rama. Pasi i konsideron qesharake akuzat e prokurorisë, Basha thotë se Rama nuk do të arrijë dot të tremb atë dhe Partinë Demokratike me metoda të cilat i quan “putiniane”, referuar presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
“Edi Rama, me metoda putiniane, ka vendosur të hapë hetime kundër meje, me akuza qesharake, të sajuara keq nga prokuroria e tij politike. Mua nuk më bëhet vonë fare për këto akuza dhe këtë hetim politik. Edi Rama ka menduar se do të më trembë mua apo do të stepë opozitën, por do ta kuptojë shpejt se unë as nuk trembem dhe as nuk tërhiqem! Edi Rama ka një vit e gjysëm që mban si shpatë në dorë një hetim absurd, pa prova dhe pa asnjë fakt kundër Partisë Demokratike. Tani që është në dëshpërim për të larguar vëmendjen nga kriza politike dhe skandalet për bashkëpunimin me krimin për të vjedhur zgjedhjet, Edi Rama ka vendosur që të sajojë akuza absurde për të shpërqendruar publikun”, shkruan kreu i Partisë Demokratike.
Basha thekson se metodat që po përdor Rama për të neutralizuar kundërshtarët politikë dhe për të shkatërruar demokracinë, thjesht do të thellojnë më shumë gropën ku ai thotë se ka rënë kryeministri.
“Këto metoda alla Putin dhe Maduro, për t’u mbyllur gojën dhe neutralizuar kundërshtarët politikë dhe shkatërruar demokracinë, thjesht do ta thellojnë më shumë gropën ku ka rënë Edi Rama dhe do ta bëjnë të pashmangshëm dhe të shpejtë fundin e keq të tij. Edhe fundin e bashkëpunëtorëve të Edi Ramës, pa asnjë përjashtim, nga kriminelët e bandave deri tek prokurorët e kriminalizuar që i shërbejnë Edi Ramës”, shkruan Basha.
Më tej, kreu i opozitës shton: “Shqiptarët tani po shohin fytyrën e vërtetë të prokurorisë politike të Edi Ramës: institucioni që ndihmon dhe mbron Edi Ramën, Olsi Ramën, Linda Ramën, Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin, Taulant Ballën, Ulsi Manjën, Arben Ahmetajn, Qazim Sejdinin, Jurgis Çyrben, Ilir Ndraxhin, Elvis Roshin, Pjerin Ndreun dhe kriminelët e tjerë, që mbron qeveritarët e korruptuar deri në palcë, punon vetëm për të luftuar kundërshtarët politikë të regjimit dhe qytetarët që ngrenë zërin kundër tij. Sot, shqiptarët e kuptojnë se sa të pambrojtur janë para krimit që është në pushtet: ka një prokurori të mbushur me prokurorë politikë dhe të korruptuar, nuk ka Gjykatë të Lartë, nuk ka Gjykatë Kushtetuese, ndërkohë që Kuvendi gjytyrym është i mbushur me politikanë të kriminalizuar ose përfaqësues direkt të krimit. Ky është sistemi i kalbëzuar nga krimi dhe korrupsioni që ne duhet të shembim! Asnjë hap pas nga beteja jonë për zgjedhje të lira e të ndershme dhe për Shqipërinë si Europa!”
Basha duhet të paraqitet të hënën e 17 qershorit, në orën 09:00, në zyrat e organit të akuzës, ku përveç kryeopozitarit, për këtë çështje janë proceduar Arben Ristani dhe Ilir Dervishi.
Kreu i PD është paraqitur në Prokurori për këtë çështje edhe në mars të 2019-ës, duke mohuar të gjitha akuzat se ka shkelur ligjet me kontratat e lobimit në SHBA, përpara zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës.
Sipas njoftimit të muajit mars, Prokuroria theksonte se ka një diferencë thelbësore mes deklarimeve të bëra zyrtare për shpenzimet e bëra nga PD dhe shpenzimeve reale të saj.
Top Channel