Gjermania gjykon se negociatat me Shqipërinë duhet të happen për arsye strategjike. Kjo i është bërë e ditur sot ministrit të Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj në takimin që zhvilloi në Berlin me homologun gjerman, Heiko Maas.
MEPJ e Shqipërisë njofton se Heiko Maas ka vlerësuar rolin e vendit tonë në kryesimin e OSBE-së, të cilën e cilësoi jo thjesht një sfidë, por një mundësi të madhe që ka vendi për të performuar në skenën ndërkombëtare.
Ministri i Jashtëm gjerman siguroi Cakajn për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë jo vetëm në aspektin bilateral por edhe në ambiciet e saj për lidership multilateral. Në këtë kuadër u ra dakord që agjenda të vijojë me intensitet të plotë.
Gent Cakaj ka informuar homologun gjerman mbi ecurinë e reformave në kuadër të procesit të integrimit të ndërmarra nga Qeveria shqiptare, si dhe përmbushjen plotësisht të tre kushteve të vendosura nga Këshilli Evropian në qershorin e vitit 2018.
Kryediplomati shqiptar e vlerësoi si historike dhe të pa ndërmarrë nga ndonjë vend tjetër në rajon, zbatimin e reformës në drejtësi që sipas tij, ndodhet në fazën e fundit të saj.
“Vitin e kaluar Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së mori vendim për hapjen e negociatave në 2019 dhe ne ishim të bindur se kjo nuk do të ishte një hapje automatike por e bazuar në një punë intensive për plotësimin e procesit të vetingut, krijimin e organeve të reja gjyqësore dhe dhënien e rezultateve të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Raporti i Komisionit Evropian ka çertifikuar angazhimin e qeverisë shqiptare në plotësimin e këtyre kritereve nga pikëpamja teknike”, është shprehur ministri në detyrë Cakaj.
Top Channel