5 ditë pas provimit të parë të maturës shtetërore, atij të gjuhës së huaj, mbi 36 mijë maturantë në Shqipëri do t’i nënshtrohen provimit të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë. Provimi është nesër në orën 10 dhe zgjat 2 orë e gjysmë.
“Mendoj 5 ditë kanë qenë të mjaftueshme, pasi përgatitja ka filluar që në fillim të vitit shkollor. Këto ditë po bëhen përsëritjet e fundit, ku pyesim mësuesit për gjërat që i kemi ende të paqarta. Këto 5 ditë po bëjmë thjesht përsëritje, se përgatitje kemi bërë gjatë gjithë vitit”, janë shprehur maturantët.
“Për herë të parë kurrikula e re na çon drejt dy lëndëve jo një lënde të përbashkët siç ka qenë deri në 2018, ku gjuha dhe letërsia ishin bashkë, kështu që do operohet me dy pjesë brenda një testi. Pra, teknikisht testi ka ndryshuar”, ka thënë mësuesja e gjuhë-letërsisë, Etleva Doko.
Maturantët janë njohur që në fillim të vitit me programin orientues me 15 vepra dhe 14 autorë. Testi do të ketë 34 pyetje, nga të cilat 20 do të jenë me alternativa. Kryesisht pyetjet me alternativa do të fokusohen te njohuritë gjuhësore, më pas do të ketë dy tekste letrare ku do të mbështeten pyetjet me zhvillim dhe në fund pjesa kreative eseja.
Veç testit, maturantët duhet të plotësojnë edhe një fletë tjetër ku do të mbushin me përgjigjet e sakta të pyetjeve me alternativa rrethet përkatëse, për të mundësuar për herë të parë korrigjimin digjital.
“I vetmi ndryshim që ka qenë i madh ka qenë te pjesa e alternativave, që ne duhet ti ngjyrosim na jepet një fletë veç provimit dhe ajo është paksa ngatërruese por që ka edhe të mirë se na jep edhe si një mundësi të dytë se më parë ka pasur shumë nxënës që janë djegur. Çdo gjë ishte në rregull ndaj mendoj do jetë njësoj.mjafton të jemi të përqendruar dhe pa stres”, kanë shtuar maturantët.
Pikët në test janë shtuar gjithashtu, nga 50 vitin e shkuar, këtë maturë do të jenë 60. Ndërsa kohëzgjatja e provimit do të jetë e njëjtë.
“Për kohën ne kemi qenë skeptikë në fillim, por më shumë ne sesa vetë maturantët. Gjatë pilotimit nxënësit dolën entuziast dhe thanë bëhej për dy orë e gjysmë”, ka shtuar Doko.
Top Channel