Kombëtarja shqiptare luan sot në mbrëmje sfidën e radhës së eliminatoreve të Euro 2020 ndaj Moldavisë.
Për skuadrën e drejtuar nga Edy Reja fitorja në këtë përballje kthehet në një detyrim për të patur ende shpresa për një kualifikim të mundshëm, duke parë edhe humbjen e pësuar pak ditë më parë me Islandën.
Ajo e kësaj mbrëmjeje do të jetë hera e katërt që Shqipëria dhe Moldavia vihen përballë njëra-tjetrës. Në 3 sfidat e mëparshme, bilanci është në favor të skuadrës sonë kombëtare me 2 fitore dhe 1 barazim. sfida e fundit që është zhvilluar mes kombëtares sonë dhe Moldavisë është miqësorja e gushtit të 2012 e përfunduar me barazimin 0-0.
Për sa i përket sfidës së sotme mes Kombëtares sonë dhe asaj Moldave, ajo do të gjykohet nga arbitra finlandeze ku kryesori është Vile Nevalainen. Ai do të ndihmohet nga anësorët Honkanen dhe Lampu, ndërsa gjyqtari i katërt është Viljanen.
Ndeshja mes Shqipërisë dhe Moldavisë do të luhet në orën 20:45 në ‘Elbasan Arena’
Top Channel