Ditën e sotme gazeta gjermane “Bild” publikoi 6 audio-përgjime të reja telefonike të bëra në vitin 2017, ku shfaqet Astrit Avdylaj, koka e grupit kriminal “Avdylaj” në Shijak në tentativë për të siguruar mbështetje politike në favor të PS. Përgjimet janë të prokurorisë shqiptare, e cila thotë se procesi hetimor është në vijim, por e përditshmja gjermane hedh dritë mbi pasazhe bisedash për ndikim në zgjedhje.
Për të folur mbi këtë çështje dhe pasojat politike që ka prodhuar e pritet të prodhojë në vijim ky audio-përgjim në studion e Top Talk sot ka qenë i ftuar kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka emri i të cilit përmendet edhe në pasazhet e përgjimeve të Astrit Avdylajt.
Për Agron Dukën, Durrësi përmendet vetëm pasi sot ka përgjime, por sipas tij ky fenomen është shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Ai shkon edhe më tej, duke “fshikulluar” edhe aleatët e tij të sotëm, se janë përkrahur nga njerëz me CV kriminale në zgjedhjet e kaluara.
“Dako së bashku me PS, u munduan që të gjejnë përkrahjen e të fortëve për të fituar zgjedhjet në 2013-ën. Avdylajt përmenden sot se janë kapur nga përgjimet, por kjo ka ndodhur në të gjithë Shqipërinë. Kjo ishte ideja e Ramës për të marrë pushtetin me çdo lloj kushti. Sepse ai dhe shumë të tjerë kanë pasur bindjen se ka qenë e vështirë për ta mposhtur PD-në, sepse edhe PD-ja është përkrahur në shumicën e rasteve nga njerëz me të kaluar kriminale. Në zgjedhjet e kaluara, pavarësisht 2013-s, ku PD-ja për shumë arsye qe shumë më inaktive se sa këta. Rama e kaloi këtë lloj steke, jo vetëm që kërkoi përkrahjen e tyre, por kaloi edhe në një mbështetje simbiotike që duket qartazi nga përgjimet që edhe strukturat e shtetit përfshihen në këtë çështje”, tha Agron Duka në “Top Talk”.
Përgjimet e Bild/Avdylaj porosit njerëzit: Të kam marrë për votën, mos t’i fusi noj Gon Duka
Ai më tej shton se kush thotë se fenomeni i vjedhjes së votave përmes ndikimit “të të fortëve” ka lindur pas 2017-s gënjen.
“Unë bëj vetëm dallimin që këta tashmë, jo vetëm që kanë pasur përkrahjen e të fortëve, por i kanë futur edhe në pushtet. Kur ti urdhëron një drejtues institucioni që të hyjë ky, apo ai në punë, kjo do të thotë që i ke dhënë pushtet ‘të fortit’. Kjo nuk ka ndodhur më përpara me qeveritë e kaluara të majta, apo të djathta”, tha Dako.
Top Channel