Mendohej i ndëshkuar në një kamp pune, zyrtari koreano-verior shfaqet në krah të Kim Jong-unit

03/06/2019 10:49

Një zyrtar i lartë koreano-verior, i cili raportohej se ishte dërguar në një kamp pune, është parë teksa merrte pjesë në një koncert të fundjavës së bashku me udhëheqësin Kim Jong-un, sipas asaj që njofton media shtetërore e vendit komunist.

Të premten e kaluar, Kim Yong-chol u raportua se ishte dërguar në një kamp riedikumi në shenjë ndëshkimi. Por, media koreano-veriore e tregoi atë gjatë një performance muzikore me zyrtarë të tjerë të vendit, gjë që e konfirmon edhe një listë pjesëmarrësish.

Megjithatë, në foton e publikuar, diplomati duket teksa mbulon pjesërisht fytyrën me duart e tij.

Kim Yong-chol, dikur një ekspert spiunazhi, është përshkruar si krahu i djathtë i udhëheqësit të Koresë së Veriut. Ai ka udhëtuar madje në Shtetet e Bashkuara gjatë janarit, për të përgatitur samitin e dytë mes Kim Jong-unit dhe presidentit Trump, që u zhvillua në Vietnam.

Presidenti Trump dhe Kim Yong-chol, në Shtëpinë e Bardhë në qershor 2018.

Raporti i së premtes mbi “zhdukjen” e Kim Yong-chol vinte bashkë me citimin e një burimi anonim nga një gazetë koreano-jugore. Ajo shkruante gjithashtu se Kim Hyok-chol, dikur i dërguar i Koresë së Veriut në SHBA, ishte ekzekutuar në një aeroport në Penian. Hyok-chol ka qenë një tjetër figurë kyçe e bisedimeve përpara se samiti mes Veriut komunist dhe Shteteve të Bashkuara të zhvillohej në shkurt.

Edhe pse ai nuk ishte mes pjesëmarrësve të shfaqjes së të dielës, media shtetërore e vendit komunist nuk ka raportuar ende ndonjë ekzekutim apo ndëshkim për të, ndaj vendndodhja e tij mbetet ende mister.

Gjithsesi, pjesëmarrja e raportuar e Kim Yong-chol në koncertin e së dielës nuk garanton se ai nuk është fajësuar apo ndëshkuar për dështimin e bisedimeve në kryeqytetin e Vietnamit, Hanoi. Ajo që konsiderohet e vërtet është vështirësia për të verifikuar raportime të tilla në lidhje me personalitete koreano-veriore të dënuar apo ekzekutuar, të cilat shpesh rezultojnë edhe të pasakta.

Top Channel