Në vitet 1994-’95, Ibish Ahmeti, mjek në Suharekë, u informua nga politika e atëhershme se një ditë lufta mund të ndodhte në Kosovë.

Ahmeti kishte nisur sigurimin e barnave anembanë Kosovës deri në krismat e para, që lajmëruan fillimin e luftës, për t’u stacionuar më pas në shtëpinë trikatëshe që u dha për shfrytëzim në fshatin Budakovë, si spitali ushtarak i UÇK-së.

“Problemin më të madh e kemi pasur me materialet për lidhje, fashim. Material që e kemi marrë, e kemi pastruar, e kemi zierë dhe e kemi hekurosur. Ndoshta e kemi përdorur me dhjetëra herë të njëjtin material kur kemi pasur mungesë”, thotë Ibish Ahmeti, mjek i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

I biri i pronarit të shtëpisë tregon se babai i tij vendosi dhënien e shtëpisë pas bashkimit të 3 djemve me ushtrinë.

Ramizi kishte qenë i angazhuar si roje spitali, ndërsa gratë e familjes përkujdeseshin për larjen e rrobave të ushtarëve të plagosur.

“Babai tha se, ashtu siç kishte falur të 3 djemtë UÇK-së për atdheun, do të falte edhe shtëpinë si spital ushtarak. E vendosëm bashkërisht që shtëpia jonë të ishte spital ushtarak”, rrëfen Ramiz Buzhala, luftëtar i UÇK-së.

Fatit të luftës i ishte bashkuar më pas edhe i biri i mjekut, Kushtrimi, që në atë kohë ishte vetëm 15 vjeç.

“Nëse s’ka qenë babai këtu, pasi është dashur që të shkojë në një zonë lufte për të marrë masa për ushtarët e plagosur atje, ai shkruante ndonjë letër për ushtarët që vinin dhe unë i kisha të qarta procedurat që duhej të ndiqja”, thotë Kushtrim Ahmeti, ndihmës i mjekut në kohë lufte.

“Ndoshta do të kishte qenë më e lehtë për mua të mos kisha barrë Kushtrimin, apo dikë tjetër, por në anën tjetër ishte ajo frika ‘nëse’ binte në duart e policisë, pasi mund të përfundonte keq”, thotë Ibish Ahmeti.

Spitali Ushtarak në Budakovë të Suharekës ishte në shërbim të Brigadës 123 të Zonës Operative të UÇK-së.

Megjithëkëtë, përveç një pllakate të vendosur në murin e shtëpisë, që u mbijetoi tri sulmeve të ushtrisë serbe, asgjë tjetër nuk të orienton në të kaluarën historike.

Top Channel