Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pranuar gjatë ditës raportin e progresit nga shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova. Por, ai nuk ka pranuar të gjeturat e raportit, duke pretenduar se nuk përkon me situatën në vend. Ai është shprehur se raporti më tepër merret me taksën se sa me progresit e institucioneve.

Megjithëkëtë, ky dokument u është dorëzuar edhe vendeve anëtare të Bashkimi Evropian, që pritet të marrin vendimin për liberalizimin e vizave. Raporti theks të veçantë i jep emërimeve të ministrave me aktakuza për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Qeveria thuhet se zbehi kredibilitetin përmes një varg vendimesh ad hoc, si rritja e numrit të ministrave në 21 dhe zëvendësministrave në 80.

“Po përgatitet projektligji për qeverinë, i cili si i tillë do të vihet në Kuvend, ku parashihet që të ketë një reduktim të ministrive, në mënyrë që ne të arrijmë të rregullojmë pozicionet ministrore dhe pozicionet ekzekutive, të mos jenë pozicione me një numër kaq të madh sa ç’janë realisht”, tha Blerta Deliu Kodra, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane.

Raporti tregon edhe paqëndrueshmëri në Kuvend, duke përmendur ndërtimin e shumicës parlamentare vetëm për çështjet të kushtëzuara nga BE-ja.

Problem vazhdon të jetë niveli i lartë i korrupsionit shkaku i funksionimit jo të mirë të organeve të drejtësisë, andaj Kosova vlerësohet të jetë ende në fazat e hershme të luftimit të korrupsionit.

“Asgjë nuk është befasuese në këtë raport, veçse tregon që Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka arritur ta mbajë të gjallë agjendën Europiane, por përkundrazi duket sikur e ka humbur  si objektiv themelor anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian”, shprehet Arbresha Loxha nga Shoqëria Civile

Sfidë për organet e zbatimit të ligjit po vlerësohet rajoni i veriut. Sipas, BE-së është e nevojshme shtimi i ndjekjes së autorëve të veprave penale nga autoritetet gjyqësore .

Top Channel