Reagime për fyerjen e Brnabiç/ “Shqiptarët nga mali”, fushatë kundër kryeministres serbe

31/05/2019 20:13

Qytetarët kanë nisur një fushatë në rrjetet sociale kundër gjuhës së urrejtjes të kryeministres serbe, Ana Brnabiç, e cila tha se “ka zyrtarë shtetërorë që vërtet kanë dalë nga mali”.

Ata kanë vendosur fotografi nga male të ndryshme të trojeve shqiptare, nën sloganet “I sapodalë nga mali” dhe “Qëndrimi racist i kryeministres serbe”. Ata thonë se, shqiptarët e kanë treguar mjaftueshëm veten përmes arritjeve në skenat botërore.

“Ajo mund të thotë çfarë të dojë, sepse prej saj nuk pritet asgjë e mirë”, tha një qytetar.

“Nuk jemi të maleve, por shumë më të shkolluar sesa ajo”, tha një tjetër.

“Shqiptarët kudo në botë kanë treguar veten, që kanë një nivel shumë të lartë”, tha një qytetare.

Nga shoqëria civile thonë se shteti i Serbisë, përherë ka pasur tendenca për prishjen e imazhit të shqiptarëve, përmes deklarimeve që përmbajnë urrejtje.

“Kjo tregon se, edhe lidershipi i tanishëm serb, edhe pse prej Perëndimit konsiderohet pak më demokratik dhe më i zhvilluar, kanë mbetur ende në ato stadet e para të tyre, që luftën ndaj Kosovës dhe shqiptarëve mundohen ta bëjnë në mënyrë të tillë, duke denigruar në këtë mënyrë shqiptarët”, tha Arton Demhasaj nga Organizata “Çohu”.

Për shkak të asaj deklarate, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka marrë vendim që t’ia ndalojë Brnabiçit hyrjen në Kosovë.

Megjithatë, shoqëria civile kërkon që këtë deklarim, qeveria ta përdorë si mjet kundër Serbisë.

“Njerëz nga mali”, kryeministrja serbe ofendon Kosovën dhe ngjall reagime e tallje

“Nuk është deklaratë e një qytetari serb, por është deklaratë e kryeministres së Serbisë. Kështu që duhet të përdoret në çdo takim të mundshëm ndërkombëtar gjuha e urrejtjes dhe raciste, që Serbia vazhdimisht ka përdorur dhe vazhdon ta përdorë ndaj shqiptarëve”, tha më tej Arton Demhasaj.

“Është fakt që shqiptarët 20 vite më parë shumica e shqiptarëve të kosovës ishin në Shqipëri, ishin maleve por ata malin nuk e zgjodhën të shkonin me dëshirë, por ishte pikërisht regjimi i Serbisë, regjimi represiv që ju dogji shtepitë, i perndjeki, bëri pastrim etink”, tha Sylë Ukshini, Ambasadori i Kosovës në Shqipëri.

Analisti Lutfi Dervishi, shprehet se Serbia duhet të kërkojë falje ndaj Kosovës, ashtu si ka bërë edhe me vendet e tjera, me të cilat ka qenë në konflikt.

“Së pari duhet kuptuar që shqiptarët s’kanë dalë nga pylli, por nga një represion regimentit të Serbisë, së dyti Serbia ka kërkuar ndjesë ndaj për atë që kanë bërë në Kroaci, atë në Bosnje dhe janë shumë vonë në kërkimin e ndjesës ndaj Kosovës. Kosova është një realitet histori, sa më shpejtë të kërkohet ndjesë ndaj Kosovës, Sa më shpejt të kuptohet që janë fqinj të Serbisë, aq më mirë mirë do të jetë do të jetë për Serbinë dhe rajonin”, tha Dervishi.
Por si e komentojnë qytetarët shqiptarë këtë deklaratë të kryeministres serbe?

“Flitet vetëm nga urrejtja, nuk është se kemi zbritur nga mali, se historiku ynë është shumë më i lashtë se i atyre.
Duhet të kërkohet publikisht falje ndaj një populli të lashtë i cili ka qenë dembabadem këtu, ndërsa ai ka ardhur në shekullin e 6 ose të 7.
Nuk pres të ketë falje nga kryeministrja serbe. Ata nuk pajtohen kurrë me humbjen e Kosovës. Duhet të ketë një reagim nga politika shqiptare”, thonë qytetarët.

Top Channel