Qytetarët kanë nisur një fushatë në rrjetet sociale kundër gjuhës së urrejtjes të kryeministres serbe, Ana Brnabiç, e cila tha se “ka zyrtarë shtetërorë që vërtet kanë dalë nga mali”.

Ata kanë vendosur fotografi nga male të ndryshme të trojeve shqiptare, nën sloganet “I sapodalë nga mali” dhe “Qëndrimi racist i kryeministres serbe”. Ata thonë se, shqiptarët e kanë treguar mjaftueshëm veten përmes arritjeve në skenat botërore.

“Ajo mund të thotë çfarë të dojë, sepse prej saj nuk pritet asgjë e mirë”, tha një qytetar.

“Nuk jemi të maleve, por shumë më të shkolluar sesa ajo”, tha një tjetër.

“Shqiptarët kudo në botë kanë treguar veten, që kanë një nivel shumë të lartë”, tha një qytetare.

Nga shoqëria civile thonë se shteti i Serbisë, përherë ka pasur tendenca për prishjen e imazhit të shqiptarëve, përmes deklarimeve që përmbajnë urrejtje.

“Kjo tregon se, edhe lidershipi i tanishëm serb, edhe pse prej Perëndimit konsiderohet pak më demokratik dhe më i zhvilluar, kanë mbetur ende në ato stadet e para të tyre, që luftën ndaj Kosovës dhe shqiptarëve mundohen ta bëjnë në mënyrë të tillë, duke denigruar në këtë mënyrë shqiptarët”, tha Arton Demhasaj nga Organizata “Çohu”.

Për shkak të asaj deklarate, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka marrë vendim që t’ia ndalojë Brnabiçit hyrjen në Kosovë.

Megjithatë, shoqëria civile kërkon që këtë deklarim, qeveria ta përdorë si mjet kundër Serbisë.

  “Njerëz nga mali”, kryeministrja serbe ofendon Kosovën dhe ngjall reagime e tallje

“Nuk është deklaratë e një qytetari serb, por është deklaratë e kryeministres së Serbisë. Kështu që duhet të përdoret në çdo takim të mundshëm ndërkombëtar gjuha e urrejtjes dhe raciste, që Serbia vazhdimisht ka përdorur dhe vazhdon ta përdorë ndaj shqiptarëve”, tha më tej Arton Demhasaj.

Nga Bashkimi Europian, zëdhënësja Maja Koçijançiç ka thënë se çdo gjuhë fyese, konfrontuese dhe ndarëse është kundër frymës së bashkëpunimit dhe pajtimit, që i duhet rajonit për të ecur përpara.

Ngjarjet e ditëve të fundit, sipas saj kanë treguar qartë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të rezultojë me një marrëveshje të qëndrueshme dhe afatgjate për normalizimin e marrëdhënieve.

Top Channel