Vitrina e Librit/ Kronikat e Mjegullës – Nga Bashkim Hoxha

27/05/2019 12:09

Një sagë shqiptare që godet idhujt

Fragment nga libri

Azis beu ishte ulur pranë oxhakut dhe po lexonte, kur Vaja i tha se kishte ardhur ajo.
-Kush?
-Hëna.
-Cila Hënë?
-Ajo vajza që e martuam me Masarin, – e kujtoi ajo.
-C’kërkon?
-Nuk e di. Është lagur, është bërë qull nga shiu.
-Fute në dhomën e shtegtarëve të marrë një të ngrohtë.
-Ajo thotë se kërkon të takohet me ty, bej.
– Me mua? – u mendua ai për një cast. – Epo mirë. Le të vijë.
Hëna hyri në dhomë.
Nga shiu, fustani i ishte ngjitur pas trupit dhe i vizatonte format rrumbullake të gjinjve dhe të kofshëve.
-Ulu pranë zjarrit merr një të ngrohur,- tha ai, por ajo qëndroi në këmbë ashtu e lagur, me një vështrim të ëmbël dhe nuk e kuptoi se si u rrokullis në dysheme së bashku me të.
Bënë dashuri pa thënë asnjë fjalë. Kur mbaruan, ajo u ngrit, ashtu, gjysmë e zhveshur.
-Ah, bej, bej, cfarë ke humbur, – mërmëriti nëpër dhëmbë dhe u zhduk sërish sic kishte ardhur.
Iku nëpër shi.
Azis beu doli në dritare dhe pa ecjen e saj nëpër shi. Një gjë e bardhë midis drurëve dukej e zhdukej. Një gjë e brishtë që i shtrydhej nëpër duar pak caste më parë dhe tani ikte.
Me kokën e mbështetur te xhami e kapi një e qarë. Nuk e di pse. Një lëmsh i mbledhur kushedi pse, shpërtheu në lot.
Qajnë burrat?
Qajnë.
Për dashurinë që iku?
Oh, jo.
Nuk qajnë atë që iku.
Qajnë vetminë e tyre, boshllëkun që lënë tek ta ato që ikin.
Apo kush e di për cfarë tjetër.
Një dreq e di përse.

“Kronikat e Mjegullës” është romani më i fundit i Bashkim Hoxhës. Ai është konsideruar si një roman krejtësisht i vecantë nga kritika, një roman breznish ku historia politike e shek. të XX-të rrëfehet me mjaft mjeshtëri e guxim e madje pa droje për të shembur idhujt. Një ide e guximshme e realizuar me kujdes në një rrëfim të bukur e të pazakontë ku historia e popullit tonë ngrihet e bie bashkë me heronjtë e vet. Duke operuar kryesisht me frazën e shkurtër, Bashkim Hoxha është kujdesur jo vetëm për vendosjen e çdo fjale në vendin e vet, por edhe i ka dhënë asaj bukurinë dhe mençurinë e postulatit. Dhe i gjithë narracioni i tij, mbulohet nga një tis mjegulle, herë atmosferike e herë metaforike, ku e para mbulon dhe konfondon veprimet në sytë e të tjerëve dhe e dyta gjallon brenda ndërgjegjes së vetë njeriut. Në këtë roman shkrimtari B. Hoxha vlerësohet nga kritika si një vëzhgues apatik dhe i ftohtë, por përshkrues dhe portetizues tërësisht realist. Pikërisht për këtë, nobelisti i vitit 1912 Gerhart Hauptman shprehej se “Letërsia lind nga historitë e vërteta.” Hëna, vajza gjashtëmbëdhjetë vjeçare e pa orientuar në jetë e cila i kërkon me vullnet të lirë Aziz beut çvirgjërimin, duar – duar transformohet në një grua të egër kur ndryshojnë kohët. Ajo të dhimbset, por edhe të shkakton të qeshura me veprimet e saj. Kapardisja e saj me kobure në brez, si kryetare e Këshillit, pikërisht në shtëpinë e Aziz beut dhe endja e këtij bodrum më bodrum për t`i shpëtuar akuzave si bashkëpunëtor i pushtuesve, të kujtojnë një pafundësi fatesh të atyre që dikur ishin askushi dhe zunë vende të pamerituara dhe atyre të tjerëve që nderoheshin dikur, sidomos për shkollimin dhe dashurinë për atdhe dhe më pas sistemi nuk i deshi, madje i luftoi sa dhe si mundi. Personazhet janë ndërlidhur aq harmonishëm dhe autori, të gjithë ata i ka vënë në shërbim të një synimi të madh: të na tregojë se sa të drejtë kishte ai i dituri që kur e pyetën se kush e ka ndryshuar më shumë historinë, Çezari apo Napoleoni, u përgjigj se “Historinë më shumë e kanë ndryshuar historianët”. Cilat janë kronikat e përshkruara në roman dhe përse vazhdohet ende të spekullohet aq shumë me historinë e Shqipërisë? Përse ka kaq shumë mjergull në këtë roman dhe cila është e vërteta që tërheq? Autori godet me mjaft mjeshtri, guxim dhe sfida të panmërta idhujtë tonë. Ky roman është vlerësuar si një shtegtim i bukur narrativ sesi ne shqiptarët të njohim më mirë vetveten.

Skeda e librit
Titulli i librit: Kronikat e mjegullës
Autor: Bashkim Hoxha
Viti i Botimit: 2019
Gjinia: Roman
Lloji: Sagë & Histori
Shtëpia Botuese: ONUFRI

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA