Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar lidhur me debatin që po zhvillohet në Kuvend në kuadër të diskutimeve mbi raportin e veprimtarisë vjetore të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit për vitin 2018.
Ministri Lleshaj duke iu përgjigjur deputetit Muslim Murrizi, tha se ka qenë autori i ligjit për hapjen e dosjeve.
“Në fakt e ndjek me shumë vëmendje zotin Murrizi, edhe ju ndjek vërtet me vëmendje, sepse nuk më dukeni shumë konvencional dhe kam vënë re që krijoni vëmendje kur flisni këtu në sallë, por pashë dhe me shumë kujdes (ndërhyn pa mikrofon deputeti Myslim Murrizi)..nuk jam në zonën tuaj elektorale, nuk jam nga Lushnja, do t’ju kisha votuar me kënaqësi, por mund të spostohem në Lushnjë për hirin tuaj”, tha Lleshaj.
“E pashë që e kishit lexuar me shumë vëmendje raportin, mbanit mend dhe numrin e faqeve, por kishit harruar një gjë thelbësore: Çfarë viti i referohet raporti? Raporti është i vitit 2018 dhe duhet t’ju them që në vitin 2018 unë nuk kam qenë Ministër i Brendshëm”, shtoi ai.
“Ju duhet ta kishit bërë edhe aq analizë, aty mund të jenë lexuar shumë pasaktësi, por desha të them këtë që, nuk po bëj dalje nga përgjegjësia si Ministër i Brendshëm, por meqenëse mu referuat me emër do t’ju them që në atë kohë, në vitin 2018, të cilit raporti i referohet, unë nuk kam qenë Ministër i Brendshëm dhe sigurisht nuk mbaj mend deri më sot të kem marrë qoftë edhe një kërkesë nga Instituti për t’iu përgjigjur për informacion”, vijoi Lleshaj.
“Pastaj do t’ju them edhe një gjë tjetër. Përgjithësisht informacionet që lidhen me arkivin e Ministrisë së Brendshme dhe me Sigurimin e Shtetit sot janë të gjitha të njohura, kush do t’i dijë ato, vetëm se duhen kërkuar si informacion”, theksoi ministri Brendshëm.
“Informacioni për dosjet e komunizmit tashmë është publik, kushdo mund të njihet me dosjen e tij, mediat, universitetet, studentët, gjithkush mund të shkojë, sepse kam qenë një nga autorët që kanë përgatitur ligjin për hapjen e dosjeve, i cili u miratua me një vonesë absurde historike, atëherë kur dosjet nuk kishin më kuptim, sepse shumica e shqiptarëve sot, që jetojnë në Shqipëri kanë lindur pas ‘90 nuk kanë më ndonjë lidhje personale dhe ligji për miratimin e hapjes së dosjeve të sigurimit të shtetit u miratua pasi ishin bërë të panevojshme këto gjëra, është miratuar para pak vitesh”, vijoi Lleshaj.
“Por në fakt ai ligj i hap dosjet, kushdo që ka vullnet, kush di për të kërkuar, sepse po të hysh në një mal me dosje do dhe pak dituri, e ka mundësinë të kërkojë”, vijoi Lleshaj.
“Për sa i përket Ministrisë së Brendshme, pra pjesën time personale e shkëputa, se nuk kam qenë Ministër i Brendshëm në vitin 2018, por sa i përket Ministrisë së Brendshme, dua të them vetëm një gjë: nuk ka asnjë pengesë jo Instituti, po as qytetarët, për t’u njohur me dosje që tashmë, unë nuk di ndonjë që nuk është bërë publike”, saktësoi ministri i Brendshëm”, tha ai.
“Ju e dini që ish-drejtori i Arkivit së Ministrisë së Brendshme është një ndër personat që publikon çdo ditë dosje sekrete, në media, në televizione etj.Pra s’ka mbetur asgjë, por për t’ju shuajtur kuriozitetin, hajdeni kur të doni ta vizitoni, edhe ju edhe Instituti” përfundoi Lleshaj.
Top Channel