Kastriot Islami rrëfehet në Top Talk: Nga PS më përjashtuan kur kisha nënën sëmurë. Ja si është e vërteta

23/05/2019 16:34

I ftuar në Top Talk këtë të enjte, ishte Kastriot Islami, ish-deputet i PS, por edhe i PD, pasi u përjashtua nga socialistët. Përballë gazetarit Denis Dyrnjaja, ai tregoi edhe si u përjashtua nga PS, kur kishte nënën të sëmurë.

Teksa janë bërë 8 vite nga përjashtimi i tij nga PS, Kastriot Islami, shprehet se ndjehet mirë që nuk është pjesë e Rilindjes.

“Bëhen 8 vite pas përjashtimit nga PS, ndjehem mirë që nuk jam pjesë e Rilindjes. Jam ndjerë mirë si pjesë e grupit të PD. Rilindja ka disa nivele. Është grupim që kontrollohet nga Rama”, u shpreh ai.

Më tej Kastriot Islami ka rrëfyer se u vendimi për përjashtimin e tij u mor teksa ai po kujdesej për nënën e sëmurë.

“Unë jam përjashtuar në një moment që nuk kam kryer asnjë veprim në kundërshtim me statutin e partisë. Ka qenë një votim në Kuvend për kryetarin e KLSH, e unë mungova se kisha nënën sëmurë. Ky ka qenë sebepi formal, le të themi. Por e vërteta ishte ndryshe. Ne kemi qenë një grup prej 5 individësh, por jo 5 vetëm. Ishim 1/3 e kryesisë, 40 % e asamblesë parlamentare, që kishim një mendim ndryshe. E kjo e shqetësonte Ramën, e grupin e tij të ngushtë. E prandaj Rama vendosi që personazhet kryesore të këtij t’i përjashtonte për t’u dhënë një mesazh të tjerëve. Unë isha ndër më pak aktivët e atij grupi, pasi kishte më aktivë se unë”, shprehet ai, duke theksuar se përjashtimi nga PS ishte i paracaktuar.

Top Channel