Përgjatë 20 viteve të çlirimit, Kompleksi memorial “Adem Jashari” ka qenë pasqyra kyçe e luftës së fundit në Kosovë. Gjatë sulmeve serbe të datave 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 ranë dëshmorë 55 anëtarë të lagjes “Jashari”, 20 prej tyre të familjes së komandantit Adem Jashari. Por ky kompleks, që flet shumë për historinë, ka filluar të mos i rezistojë kohës. Kjo, edhe si pasojë e moskujdesit të mjaftueshëm nga institucionet e vendit.
Në secilin prej mureve të shtëpive vërehen plasaritje të theksuara si pasojë e vjetërsisë. Ciceroni tregon se me këtë përkujdesje i shohin mijëra vizitorë brenda vitit nga vende të ndryshme të botës.
“Jam këtu në këtë kompleks prej 20 vitesh, asnjë ditë nuk ka ndodhur të mos ketë vizitorë. Sipas të dhënave të fundit janë diku te 13 milionë vizitorët”, tha Ilaz Halimi, ciceron në Kompleksin memorial “Adem Jashari”.
Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale e quan mrekulli qëndresën e shtëpive edhe 20 vite pas luftës, ndërsa tregon se investimet nuk janë bërë shkaku i mospërcaktimit të prioriteteve.
“Shteti gjithsesi duhej të bënte gjithçka të mundshme që këto shtëpi t’i ruante dhe t’i restauronte ku ka pasur nevojë. Fatkeqësisht, tani për tani e kemi kështu gjendjen”, tha drejtori i AMKM-së, Bislim Zogaj.
Ai ka treguar se është krijuar një komision ndërministror, i cili pritet të marrë vendime për investimet. Megjithëkëtë, puna e komisionit është ende në fazën fillestare.
“Është në përfundim të idesë sesi do të veprojë. Do të realizojë një projekt që kemi ne si agjenci për ruajtjen e këtyre shtëpive, apo do të fillojmë me një projekt tjetër”, tha më tej Bislim Zogaj.
Të shqetësuar për gjendjen shprehen edhe vizitorët. Ndërkohë që gjendja e kompleksit “Adem Jashari” është e rëndë, Kuvendi i Kosovës ka marrë nisma të reja për ndërtimin e objekteve të tjera muzeale, si ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit dhe Memorialit të Dëbimit.
Top Channel