Ai ishte një talent premtues në akademinë e Interit. Në janar të vitit 2017 u detyrua të largohej nga grumbullimi i të rinjve zikaltër për t’u kuruar. Prej atëherë, talenti nuk ishte rikthyer më të luante futboll por mbi situatën e tij kishin mbërritur lajme inkurajuese.

Fatkeqësisht, Maicol Lentini, vetëm 15 vjeç, është dorëzuar përballë një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë, teksa gjendej në shtëpinë e tij në Zerbolo, në provincën e Pavias.

Mesazhe ngushëllimi kanë ardhur nga të gjitha anët, prej vendlindjes së tij ku është pezulluar edhe fushata zgjedhore, por edhe nga klubi zikaltër, përmes një mesazhi në faqen e internetit.

“FC Internazionale Milano ndan dhimbjen për largimin nga jeta të të riut Maicol Lentini. Pronarë, drejtues, sektori i të rinjve zikaltër ku Maicol ka qenë pjesë, skuadra aktuale dhe tifozët ngushëllojnë familjen e tij në këto ditë të dhimbshme”, thuhet në komunikatë.

Edhe “Curva Nord”, sektori i ultrasve të Interit bashkohet me dhimbjen, ndërsa në vitin 2017 kur Lentini u desh të ndalte së luajturi futboll për t’u kuruar në Genova, i kishin dedikuar atij një mesazh. Ishte ndeshja Inter-Chievo e 14 janarit 2017, dita kur edhe Mauro Icardi kishte zbritur në fushë me një shirit kapiteni me një fjali dedikuar atij: Forca Maicol, mos u dorëzo!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA