Aston Villa dhe Derby County nuk do të mund të përfitojnë nga përdorimi i teknologjisë VAR në finalen e “play off”-it të Championshipit, kategorisë së dytë të futbollit anglez, pasi kështu ka vendosur Federata e Futbollit.
Pavarësisht se në lojë janë jo pak, por një “trofe” që vlen 180 milionë paund, drejtuesit e futbollit anglez kanë vendosur të mos e përdorin sistemin VAR në finalen e 27 majit që do të luhet në “Wembley”.
Vendimi është marrë me argumentin se, VAR-i nuk është përdorur në asnjë ndeshje të këtij sezoni në Championship dhe se do të përbënte një “avantazh të padrejtë” nëse do të bëhej operacional vetëm për këtë ndeshje të rëndësishme.
Ndeshje kjo, e cila pavarësisht se luhet për të përcaktuar ekipin e tretë që do të ngjitet në Premier League vitin e ardhshëm, përbën majën e futbollit anglez dhe jo vetëm sa u përket të ardhurave. E gjitha kjo, për shkak të sistemit të ngritur nga Federata e Futbollit për të rritur konkurrueshmërinë në nivelin inferior të futbollit.
Ndonëse dy skuadrat e para të renditjes sigurojnë kualifikimin e drejtpërdrejtë për në Premier League vitin pasardhës, 4 skuadra të tjera zhvillojnë ndeshje “play off”-i ndërmjet tyre për të përcaktuar fituesin që do të sigurojë “biletën e tretë”. Për këtë arsye dhe vështirësitë që dalin si pasojë e ndeshjeve shtesë, ekipi fitues shpërblehet më shumë sesa ata që ngjiten direkt në elitën e futbollit.
Aston Villa mbërriti në finalen e “play off”-it edhe sezonin e kaluar, atëherë kur ishte Fulhami ai që do të fitonte 1-0 dhe do të ngjitej në Premier League, përmes një goli të dyshimtë që nëse do të ishte përdorur sistemi VAR, do të ishte anuluar.
VAR është lavdëruar nga shumë trajnerë me emër, nga Pep Guardiola te Jurgen Klopp, ndaj dhe do të përdoret në Premier League vitin e ardhshëm.
Top Channel