Për drejtorin sportiv të Juventusit, Fabio Paratici, këto janë ditë “të nxehta”, pasi është personalisht i impenjuar në kërkim të pasardhësit të Massimiliano Allegrit, trajnerit që shpalli vit për vit kampion bardhezinjtë, por nuk mundi të realizonte ëndrrën e kthyer në fiksim, trofeun e Champions League.

Emrat më të spikatur për stolin juventin janë ato të Simone Inzaghit dhe Maurizio Sarrit, por të hapura janë edhe rrugët që të çojnë drejt Sinisa Mihajloviç apo sugjerimeve të tjera si Mauricio Pochettino apo Jose Mourinho.

Fakti që Nedved dhe Paratici kanë një konsideratë të madhe për vëllain e vogël Inzaghi nuk është mister. Takimi i fundit i palëve në Piacenza është edhe konfirmim i këtij “afrimiteti”.

Por, trajneri i Lazios ka edhe një tjetër vit kontratë dhe duhet të kalojë nga zyra e Claudio Lotitos. Duke njohur tipin e vështirë të presidentit të Lazios, kontakte ka pasur edhe me serbin Mihajloviç, i cili gjithsesi nuk mund të mbahet për shumë kohë “varur”, pa përgjigje.

Ndërkohë, dy sponsorë të fuqishëm të Juventusit po bëjnë përpjekje për të “veshur” bardhezi Jose Mourinhon. Njëri prej tyre është Jorge Mendes, agjent që kujdeset për interesat e teknikut të konsideruar “Special One”, ndërsa tjetri është Cristiano Ronaldo, i cili ka shprehur fjalë pozitive për bashkëkombasin e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA