Lamtumira është një mundësi reale tashmë për Kylian Mbappe, i cili një ditë më parë ka kërkuar “më shumë përgjegjësi”, te PSG-ja apo diku tjetër… Aktualisht, i vetmi ekip që mund t’ia lejojë vetes një operacion të këtyre përmasave, prej gati 300 mln eurosh, është Reali i Madridit. Por, ky lajm i bujshëm mediatik i francezit lë shteg për shumë interpretime, asnjëra shteruese, gjithsesi të gjitha të ndërthurura.

Në lojë nuk është vetëm ideja që i shkon nëpër mend për të luajtur te Reali i Madridit i drejtuar nga Zinedine Zidane, por edhe fakti që duhet të sigurojë një pagë më të lartë dhe të ketë më shumë autoritet në dhomat e zhveshjes së parizienëve, aty ku faktikisht dominon për momentin “klani” i Neymar.

Pa harruar këtë edhe elementin më të rëndësishëm, justifikimin e kampionit të botës se nuk dëshiron të përjetojë një tjetër sezon zhgënjyes në Champions League. Por kjo e fundit e bashkon me Neymarin, i cili gjithashtu mund të tentojë largimin nga kryeqyteti francez.

Gjatë ditëve të fundit është folur për tratativat për rinovimin e kontratës së Mbappe, që skadon në vitin 2022, ku pritet që të fitojë gati një milion euro neto në muaj, shifër kjo sa një e treta e asaj që përllogaritet të fitojë Neymar.

Vetëm një ditë më parë, Neymar u vlerësua si “i riu më i mirë” dhe “lojtari më i mirë” i kampionatit “Ligue 1”, duke lënë pas shokun e tij brazilian të skuadrës, i cili nuk denjoi madje as të ishte i pranishëm në këtë ceremoni galà, teksa preferoi të festonte – siç thuhet nga “RMC Sport”, – me Rihannën. Nëse do të shihen statistikat, vetëm në kampionat Mbappe ka shënuar më shumë se dyfishi i golave të brazilianit (32 gola francezi, 15 Neymar).

Por, përpara se të evokonte mundësinë për t’u hedhur në kërkim të një “projekti të ri”, Mbappe ka kërkuar të marrë më shumë përgjegjësi aty ku është, një mënyrë kjo që nuk është e vështirë të kuptohet se po kërkon të imponohet si udhëheqës. Një kërkesë e tillë është bërë edhe dy herë të tjera gjatë sezonit, por që nuk kanë gjetur mirëkuptimin e trajnerit gjerman, Tuchel, i cili vazhdon të konsiderojë Thiago Silvën dhe Marquinhosin si kapitenët e padiskutueshëm të skuadrës, edhe më shumë sesa Neymari, që për gjermanin “nuk e ka ende profilin e kapitenit”, pavarësisht se udhëheq “Seleçao”-n.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA