Edhe pse e zyrtarizoi titullin kampion në futbollin maqedonas pak javë më parë, Shkëndija e ktheu në një festë elektrizuese ndeshjen e fundit të zhvilluar në shtëpi.

Skuadra nga Tetova mblodhi me mijëra tifozë në përballjen ndaj Akademisë Pandev, duke festuar me ngjyrat kuqezi edhe titullin e tretë në historinë e saj.

Plot 4 gola shënoi në portën e rivalëve skuadra shqiptare e Maqedonisë Veriore, duke lejuar vetëm një të tillë në portën e saj nga Akademia Pandev. Fitorja e kësaj të diele ndaj skuadrës nga Strumica ishte e 24 nga gjithsej 35 ndeshje, duke ruajtur kryesimin bindshëm para rivalit për titull, Vardarit. Plot 16 pikë është hendeku mes këtyre dy skuadrave, me Shkëndijën që tashmë prej dy vitesh me radhë po feston titullin kampion.

Ndeshja e fundit e sezonit për Shkëndijën do të jetë ajo ndaj Renovës, por me festën tashmë të arkivuar, kuqezinjve shqiptarë të Maqedonisë Veriore i mbetet vetëm të mësojnë shortin e kupave europiane. Formacioni tetovar këtë vit synon të kualifikohet në fazën e grupeve në Ligën e Europës, gjithmonë nëse ëndrra e Champions do të zgjasë më pak se parashikimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA