Vetëm përpara pak ditësh, Xavi Hernandez bëri të ditur tërheqjen nga futbolli i luajtur, për të nisur përgatitjet për një karrierë të re, atë të trajnerit.

Megjithatë, 39-vjeçari që konsiderohet si një prej mesfushorëve më të mirë në historinë e futbollit, ka edhe një titull për të fituar, për të pasuruar edhe më shumë “palmares”-in e tij: Kupën e Emirit, me skuadrën e tij Al Sadd që do të luajë në finale.

“Xavi po e përjeton këtë finale si të ishte një fëmijë dhe si të ishte hera e parë për të që luan në një finale në karrierë”, tregon trajneri i Al Sadd, Jesualdo Ferreira. “Është si të shohësh dy fëmijë që luajnë finalen dhe që duan të luftojnë për ta fituar, diçka që unë mendoj se është e mrekullueshme”, shtoi ai.

Ndërsa për futbollistin e Al Sadd, Gabriel Fernandez, që më parë ka qenë pjesë e Atletico Madrid, mesfushori katalanas është një shembull për t’u ndjekur.

“Xavi është një shembull për t’u ndjekur jo vetëm në Katar, por në futbollin e mbarë botës”, tha Gabi. “Ne shpresojmë që ndeshja e tij e fundit, finalja e tij e fundit të jetë një fitore. Unë mendoj se ai do t’ia dedikojë atë të gjithë njerëzve të Al Sadd që e trajtuan shumë mirë”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA