Veliaj shtron Iftar për besimtarët myslimanë me rastin e Ramazanit

16/05/2019 13:42

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mbrëmjen e djeshme shtroi iftar për besimtarët myslimanë që agjërojnë në muajin e shenjtë të Ramazanit. Në darkën e përgatitur enkas, kryebashkiaku Veliaj u uroi besimtarëve myslimanë agjërim të lehtë dhe falenderoi të gjithë përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman për punën e përditshme që bëjnë së bashku me institucionet sociale të Bashkisë së Tiranës, për një qytet me sa më pak varfëri dhe sa më shumë mirëqenie.

“I falenderoj të gjithë imamët që na janë bashkuar sot nga e gjithë Shqipëria, po ashtu edhe myftitë që drejtojnë në situata ndoshta edhe më të vështira se në Tiranë. Fakti që ka këtë frymë solidariteti në të gjitha këto komunitete ju bën nder juve, por na bën edhe ne të ndihemi shumë krenarë për ju. Ju falënderoj me gjithë zemër! Jemi përpjekur sot të bëjmë bashkë jo vetëm ata që drejtojnë komunitetin mysliman në të gjithë territorin e Shqipërisë, vëllezër dhe motra që shërbejnë me shumë përkushtim, por edhe shumë nga kolegët tanë të Bashkisë së Tiranës, administratorët e njësive, anëtarët e Këshillit Bashkiak, dua t’i falënderoj edhe ata që në çdo cep të qytetit, aty ku është një xhami është vendosur një urim për ta trajtuar si një festë të të gjithëve, ashtu siç bëjmë në fakt edhe për besimet e tjera”, tha Veliaj.

Ai theksoi se Ramazani është jo vetëm një muaj i sakrificës, por mbi të gjitha edhe një muaj ku njerëzit duhet të tregojnë më shumë solidaritet. Ndaj, ai bëri të ditur se Bashkia e Tiranës edhe në këtë muaj ka vendosur që të ofrojë darkën e Iftarit për të gjithë ata besimtarë që janë në pamundësi ekonomike. “Ramazani është një periudhë e vitit e mbushur me një dozë të madhe solidariteti. Dua të falenderoj të gjithë kolegët tanë, punonjësit socialë, që bashkë me aktivistët dhe vullnetarët e shumë prej xhamive të Tiranës, bëjnë që në të gjithë qendrat sociale të ketë bollëk dhe askush të mos ndihet i lënë pas në këto ditë të veçanta”, u shpreh Veliaj.

Kreu i bashkisë theksoi se ky muaj i shenjtë është edhe një periudhë reflektimi për këdo dhe për të qenë më miqësor dhe të dashur me njeri-tjetrin. “Ky është një vit që, si çdo vit në Shqipëri, ka edhe dramë, ka edhe dashuri, edhe inate, debate, dhe unë lus Zotin që kjo kohë e Ramazanit të jetë edhe pak ilaç për shoqërinë tonë. E kemi shumë kollaj të shkaktojmë plagë, por e kemi shumë të vështirë të mbyllim plagë, të themi më fal, të themi bravo të qoftë, të themi jam shumë krenar për ty, jam shumë mirënjohës për ty! Në këtë kohë kemi nevojë të reflektojmë pak, të ulim pak gjakrat, t’i vëmë pak fre gjuhës dhe të kuptojmë që në fund të ditës, Zoti na ka sjellë të përkohshëm dhe jemi në tokë të bëjmë mirë sa të mundemi. Ka shumë gjëra që na bashkojnë, krahasuar me ato që na ndajnë, që s’janë hiçgjë”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se për ditën e Bajramit Bashkia e Tiranës do të ofrojë parkimin falas për besimtarët myslimanë, që do të kryejnë faljen në sheshin “Skënderbej”, ndërsa shprehu besimin se Bajrami i vitit tjetër do t’i gjejë besimtarët e këtij komuniteti me një tempull të ri të besimit të tyre, xhaminë e re të Namazgjasë.

Kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu shprehu falenderimin e tij për darkën e Iftarit të organizuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, ndërsa theksoi se muaji i Ramazanit duhet t’i shërbejë besimtarëve dhe gjithë shoqërisë për më shumë humanizëm dhe mirësi dhe për t’u larguar nga veset e këqija.

“Kam nderin dhe kënaqësinë që sonte ndodhem në këtë darkë iftari të shtruar nga kryetari i bashkisë, natyrisht në muajin e begatë, muajin e mëshirës, muajin e faljes, humanizmin, solidaritetit, por më e rëndësishmja është begatia shpirtërore, kur njerëzit i vënë fre të gjitha veseve të këqija dhe tregojnë me të vërtetë pasqyrën e unitetit, pasqyrën e vëllazërisë tonë kudo që jemi. Edhe njëherë falënderoj kryetarin e bashkisë për këtë darkë Iftari, Zoti ta shpërbleftë dhe të gjithë agjëruesve i uroj agjërim të lehtë dhe të pranuar”, tha Spahiu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA