Flora Brovina, PDK

E mbajtur fort te duart dhe këmbët nga dy ushtarë, ndërsa i treti kryente aktin e përdhunimit. Ndërkohë, me pushkë mbi kokë, 3 familjarë ende të gjallë qëndronin para saj, të detyruar të shohin tmerrin me sy.

Kjo është vetëm një nga dëshmitë e njërës nga 20 mijë grave që besohet të jenë dhunuar nga ushtarët e forcave serbe gjatë luftës në Kosovë, e cila u soll nga deputetja Flora Brovina në Kuvendin e Kosovës. Ajo ka treguar se fotografia është gjetur në aparatin fotografik të një ushtari serb.

“Një aktivist nga terreni më ka sjellë këtë fotografi për një grua dhe familjen e saj që ta shohë përdhunimin e bijës së tyre. Nusja ka qenë 35-vjeçare, është e gjallë. Disa familjarë shihen që janë të shtrirë dhe të dhunuar dhe të vrarë”, tha Flora Brovina, deputete e Kuvendit të Kosovës nga PDK.

Për këtë, Prokuroria Speciale ka njoftuar se do të hapë hetime, duke ftuar fillimisht deputeten Brovina për dhënien e informacioneve, pasi ka pohuar se gruaja është e gjallë. Përmes një komunikate, Prokuroria ka treguar se nuk kanë qenë në dijeni për ekzistencën e dëshmisë.

Përveç saj, Brovina ofroi edhe një dëshmi tjetër gjatë seancës. Në fotografi ishte imazhi i një vajze që u tha të ishte 7-vjeçare kur u përdhunua.

“E dëshmoj se ka vdekur gjatë përdhunimit, 7 vjeç vajzë”, tha Brovina në Kuvend.

Për këtë dhe krimet e tjera, Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur diskutimin për shqyrtimin e projektrezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit nga ish-regjimi i shtetit serb në Kosovë.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se do t’i drejtohet Bashkimi Europian me një letër, për të treguar se janë duke qëndruar indiferent ndaj krimeve të kryera.

“Njëri pas tjetrit kanë dështuar UNMIK dhe EULEX. Bashkë me ta, edhe institucionet tona, që duke besuar te drejtësia ndërkombëtare kanë neglizhuar detyrat e tyre ligjore në këtë drejtim”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Deputetja nga LDK-ja, Vjosa Osmani ka kërkuar që rezoluta të jetë mbi platformën e dialogut me Serbinë, e cila ishte miratuar nga Kuvendi e që nuk pranon se është kryer gjenocid.

“Në Bruksel me marr me vete një dokument që nuk përmend as gjenocidin, as krimet kundër njerëzimit, kurse në Kuvendin e Kosovës përmenden që të treja”, tha Vjosa Osmani, deputete e Kuvendit të Kosovës nga LDK.

Gjatë luftës 1998-’99 janë vrarë 11 mijë civilë. Fati i 1.600 prej tyre ende nuk dihet, ndërsa janë dëbuar një milion banorë. Për këtë, në Kosovë janë dënuar 34 shqiptarë, 4 serbë dhe një rom, ndërsa në Serbi janë dënuar 15 serbë, një shqiptar dhe qindra të tjerë janë me aktakuza.

Ndërsa Tribunali i Hagës ka dënuar 6 serbë e dy shqiptarë, ndërkohë që pritet të realizohet edhe Gjykata Speciale për ushtarët e UÇK-së.

Top Channel