Vrau ish-bashkëshorten. Apeli e lë në burg për jetë vrasësin e gjyqtares

15/05/2019 12:22

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda la në fuqi vendimin e shkallës së parë dhe dënoi me burgim të përjetshëm Fadil Kasemin, nën akuzë për vrasjen e ish-bashkëshortes Fildes Hafizi.

Dy vjet nga vrasja e ish-bashkëshortes së tij, e cila ishte gjyqtare në Shkodër, Fadil Kasemi dëgjoi në heshtje vendimin e Gjykatës, që ia hoqi përfundimisht shpresat për aplikimin e gjykimit të shkurtuar e që për rrjedhim e dërgon atë në burgim të përjetshëm.

Seanca u ndoq edhe nga familjaret e tij, por jo nga dy fëmijët e çiftit të cilët e kanë braktisur pas krimit në familje. Vrasja e gjyqtare, Fildes Hafizi në gusht 2017 zbuloi edhe njëherë problemet me drejtësinë, ndërsa KLD e atëhershme u mblodh me urgjence, duke kërkuar inspektimin e gjykatave për qëndrimin që ato mbajnë për dhunën në familje.

Inspektimet u kryen për shkak të një vendimi të shpallur ndaj Fadil Kasemit nga Gjykata e Kavajës që e kishte dënuar me vetëm 3 vite burgim, pasi në 2015-të kishte tentuar ta vriste ish-bashkëshorten, e cila me pas ishte shprehur tek miqtë se ishte e shqetësuar për jetën.

Fildes Hafizi u vra me armë zjarri nga ish-partneri, i cili sikurse edhe të tjerë që kanë kryer krime në familje apo për shkak të lidhjeve familjare, në bazë të paketës ligjore nuk përfitojnë gjykim të shkurtuar, por dënohen me burg të përjetshëm.

Ashpërsimi i Kodit Penal për krimet ndaj partnereve dhe ish-partnereve ndodhi për shkak të shifrave të larta të vrasjeve.

Edhe në raportin e 2018-s të Prokurorisë së Përgjithshme të dorëzuar në Kuvend, evidentohet shqetësimi i krimit në familje, ndërkohë që 1209 persona janë marrë të pandehur gjatë këtij viti për veprën e dhunës në familje.

Top Channel