“Negociata, por edhe protestë”/ Opozita vendos sot ditën e protestës kombëtare

15/05/2019 15:03

Opozita do të dalë sërish në protesta por data pritet të vendoset pasditen e sotme. Negociatat e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës do vijojnë njëherësh me aksionin kundër mbajtjes së zgjedhjeve me 30 qershor. Pasdite Basha do të tregojë vendimin që do marrin strukturat e Partisë Demokratike pas dy orësh.

E mërkura ishte një ditë e ngjeshur takimesh për kryetarin demokrat. Ditën e nisi me aleatët të cilët përcollën edhe mesazhi kryesor.

“Nuk do lejojmë zgjedhje më datë 30 qershor me gjithë aksionin e mundshëm opozitar, në 360 gradë”, tha Dashamir Shehi.

Një ditë më parë, erdhën sinjalet e para positive për zgjidhjen e mundshme të krizës me negocim ndërkombëtar, por krahas këtij zhvillimi të ri, opozitar ka vendosur të mos tërhiqet nga protestat.

“Aksioni fatkeqësisht do spostohet në rrugë. Nuk do heqim dorë nga takimi me ndërkombëtarët”, tha Shehi.

25 maji, data më e përfolur për protestën e radhës kombëtare në takimet e njëpasnjëshme me aleatët, krerët e degëve dhe kryebashkiakët demokrat. Por kjo datë është ende në pikëpyetje pasi përkon edhe me zgjedhjet në Parlamentin Europian.

E ënjta nuk do të sjellë më bllokim të rrugëve, ndërsa vendimi përfundimtar për protestën e 6 kombëtare pritet të merret në mbledhjen e pasdites me kryesinë dhe ish-grupit parlamentar.

Top Channel