Rrugët mes Antoine Griezmann dhe Atletico Madrid do të ndahen në fund të sezonit. Sulmuesi francez zyrtarizoi largimin e tij nga “Los Colchoneros”, duke ua komunikuar atë edhe drejtuesve të klubit dhe shokëve të tij të skuadrës.

Pavarësisht rinovimit të kontratës deri në vitin 2023, sulmuesi 28-vjeçar mendoi se për të kishte ardhur koha që të niste një aventurë të re. Vet futbollisti vendosi të japë një mesazh për tifozët, nëpërmjet një videoje të publikuar në të gjitha platformat sociale të Atletico Madrid.

“Pasi bisedova me klubin, dua të flas edhe me ju për të bërë të ditur vendimin tim për t’u larguar. Kam dëshirë të jetoj sfida të reja. Ky është klubi që më ka dhënë trofetë e para dhe ku mora shumë ngrohtësi nga ana juaj. Ishin 5 vite vërtet të pabesueshme. Ju falënderoj të gjithëve një nga një, do t’iu kem në zemër”, tha Antoine Griezmann, kampion bote në fuqi me Francën.

Tani, ajo që mbetet për t’u përcaktuar është destinacioni i ri i Antoine Griezmann, që duket se do të jetë Barcelona, me katalanasit që janë gati të paguajnë klauzolën prej 120 milionë eurosh të kontratës së futbollistit. 20% e kësaj shumë do të derdhet ndërkohë në arkat e Real Sociedad. Për momentin nuk ka asgjë zyrtare, por zërat e merkatos këmbëngulin për bisedimet mes Griezmann dhe Barcelonës për nënshkrimin e një kontrate 5-vjeçare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA