Përfaqësuesi special i SHBA për Iranin: Nuk duam luftë!

Hetuesit amerikanë besojnë se Irani apo grupet e mbështetura prej tij kanë përdorur eksplozivë për të dëmtuar 4 çisterna nafte që ishin nisur nga brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe gjatë së dielës.

Ekspertët ushtarakë thuhet të kenë hetuar incidentin dhe kanë zbuluar dëmtime të konsiderueshme në secilën prej çisternave. Edhe pse nuk është paraqitur asnjë provë, që tregon përfshirjen e Iranit, vendet e prekura nga incidenti po presin hetimet për të drejtuar gishtin e fajit.

Incidenti në fjalë ka shtuar së tepërmi tensionet mes Iranit, një vend me ujëra territorialë të vetët në ngushticën e Hormuzit, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pikërisht në këtë ngushticë raportohet të kalojë rreth një e pesta e të gjithë sasisë së naftës që konsumohet në mbarë globin.

Muajin e kaluar, Irani kërcënoi ta mbyllte ngushticën, nëse Republika Islamike do të pengohej ta shfrytëzonte atë për të njëjtin qëllim.

Kërcënimi i regjimit të Ajatollahëve erdhi pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për t’iu dhënë fund përjashtimeve nga sanksionet të importuesve madhorë të naftës iraniane.

Ekipi i hetuesve të ushtrisë amerikane zbuloi vrima të mëdha në të gjitha anijet e prekura dhe besojnë se ato janë shkaktuar nga shpërthime eksplozivi, siç raporton “Associated Press” duke cituar zyrtarë të paidentifikuar. Megjithatë, ata nuk shpjegojnë ende sesi dëmet lidhen me Iranin.

  Sauditët ankohen për sulme sabotuese ndaj çisternave të naftës

Por çfarë dihet rreth këtij sabotazhi? Shumë pak detaje janë publikuar mbi incidentin e ndodhur rreth orës 6 të së dielës (4 të mëngjesit me orën tonë) në ujërat territorialë të Emirateve të Bashkuara, në gjirin e Omanit, në lindje të Fujairah.

Ministria e Jashtme e EBA-ve tha se 4 anije tregtare ishin shënjestruar nga një “sulm sabotazhi” pranë portit të Fujairah, edhe pse larg ngushticës së Hormuzit. Nga incidenti nuk pati viktima, por Arabia Saudite tha se dy prej anijeve të saj kishin pësuar “dëmtime të konsiderueshme”. Ministri saudit për Energjinë, Khalid al-Falih tha se një prej çisternave ishte në rrugëtimin e vet për t’u ngarkuar me naftë saudite, që do të transportohej për klientët e saj në Shtetet e Bashkuara.

Një tjetër çisternë e dëmtuar ishte me flamur norvegjez, ndërsa e katërta mbante flamurin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ndërkohë, Irani ka bërë thirrje për një hetim të thellë të incidentit, të cilin e përshkroi si “shqetësues”. Megjithatë, të hënën nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan Donald Trump lëshoi një paralajmërim. “Nëse ata vërtet po bëjnë diçka, do të ishte një gabim tejet i rëndë. Sigurisht që do ta pësojnë rëndë nëse ndërmarrin një hap të tillë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA