Shkencëtarët australianë po analizojnë një monedhë të vjetër afrikane e cila është gjetur në plazhin pranë ishujve “Wessel” vitin e kaluar.

Kjo copë bakri mund të jetë një gjurmë e faktit se portugezët e kanë vizituar Australinë rreth 250 vite përpara se atje të shkonte kapiteni britanik James Cook. Monedha e ashtuquajtur Kilva, mund të jetë rreth 1000 vjeҫare dhe vjen nga Tanzania. Detarët portugezë mund ta kenë ҫuar atë në Australi në vitin 1515.

Kjo mund të jetë një provë se ata ishin evropianët e parë që arritën në kontinentin australian. Por, si përfundoi monedha në Ishujt “Ëessel” jashtë Australisë veriore, ende nuk është e qartë. Duke folur për “The Guardian”, arkeologu Mike Hermes tha se kjo monedhë ka një vlerë të madhe studimore pasi mund të ndryshojë historinë.

Edhe në vitin 1944, arkeologët kanë zbuluar disa monedha të ngjashme (monedha Kilva) pranë kontinentit australian, të cilat janë ruajtur për vite me radhë. Arkeologët mendojnë që tregtarët mund të kenë sjellë vetë monedhat nga Afrika ose ndonjë anije që i transportonte të jetë mbytur në ato brigje. Ndërkohë sipas asaj që njeh historia si zbuluesin e Australisë,  Kapiteni James Cook arriti në Botany Bay në Sydney më 1770.

 

Top Channel