Për Petro Koçin, i ftuar në emisionin “Open” nga Eni Vasili këtë të hënë, zgjidhja e vetme për krizën politike në vend është ulja në tryezën e dialogut, sipas thirrjes së ndërkombëtarëve, duke theksuar sipas tij se thirrja i drejtohet Partisë Demokratike, pasi qeveria ka qenë gjithnjë e gatshme për dialog.
“Partia Demokratike është në një krizë të thellë, që nisi nga momenti kur opozita e bashkuar dogji mandatet”, tha Petro Koçi.
Reagimi i ndërkombëtarëve, sipas tij, është historik pasi për herë të parë përmenden krerët e opozitës Basha e Kryemadhi me emra, që të ndikojnë jo vetëm në eliminimin e akteve të dhunës, si ato që u panë dy ditë më parë, por edhe të bashkëpunojnë me autoritetet e drejtësisë për identifikimin e dhunuesve.
Por, ndaj Koçit u kundërpërgjigj disa herë Ervin Salianji, përmes lidhjes së drejtpërdrejtë, i cili tha se nëse krerët e opozitës do të kishin bërë thirrje për dhunë, gardhet te Kryeministria apo Kuvendi do të ishin thyer shumë shpejt. Duke qenë se “s’ka pasur nxitje për dhunë” nga ana e krerëve të opozitës, sipas tij, atëherë edhe reagimet e ndërkombëtarëve iu drejtohen policisë dhe qeverisë.
Por, Salianji nuk e pohoi nëse tërheqja gjatë protestës-marshim të kësaj të hëne ishte si rezultat i presionit dhe deklaratave të bashkëkoordinuara të Ambasadave të Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Italisë, apo edhe OSBE-së.
Top Channel