Debate për selinë e PE-së, organit me “dy seli” të Bashkimit Europian

13/05/2019 19:22

Përveç zgjedhjeve të 26 majit, që janë temë kyçe në Bruksel, një tjetër çështje po ngjall debate. Ku duhet të jetë selia e Parlamentit Europian?

Gjithnjë e më shumë po intensifikohen zërat që kërkojnë që Brukseli të jetë selia e vetme e Parlamentit Europian. Sidoqoftë, edhe kundërshtarët janë të zëshëm.

Shumë kamionë dhe makina transportojnë rreth 1.500 kontenierë me të dhëna dhe pajisje në Strasburg të Francës, çdo muaj. Atje mbahen 12 herë në vit seanca të Parlamentit Europian, që zgjasin për disa ditë.

Më pas, të dhënat, dokumentet dhe pajisjet kthehen prapë me kamionë dhe makina në Bruksel. Kjo ka bërë që të shtohet numri i politikanëve që kërkojnë mbajtjen në të ardhmen të seancave vetëm në Bruksel.

“Parlamenti i BE-së me dy seli sjell shpenzime të panevojshme”, mendojnë kritikët, ndër të cilët kancelari austriak Sebastian Kurz.

Edhe për presidentin francez Emmanuel Macron, – thotë ai, – kjo nuk duhet të përbëjë një problem, sepse Franca ka mundësi të tjera që të luajë një rol të rëndësishëm përveçse të presë një herë në muaj deputetët e PE-së.

Në Bruksel kryhet shumica e aktiviteteve të Parlamentit Europian, ndërsa godina në Strasburg është në më të shumtën e kohës e zbrazur. Ata që kërkojnë që Brukseli të jetë selia e vetme e PE-së kanë nisur një fushatë të titulluar “Single Seat” dhe po mbledhin edhe firmat për një peticion.

Nismën e mbështet edhe Kancelarja gjermane Angela Merkel. Por, deri më tani, Franca ka qenë e palëkundur. Ajo i referohet marrëveshjeve të mëparshme të BE-së, në të cilat thuhet se Strasburgu është seli e PE-së, ku duhet të mbahen 12 seanca të saj në vit.

Presidenti i Francës, Macron thotë se ky vendim është “i paprekshëm dhe i panegociueshëm”.

  Ku duhet të jetë selia e Parlamentit Europian?

Top Channel