Lot gëzimi, “pushtim” fushe dhe një festë e shfrenuar dhe e shumëpritur. Pritja mbi dydekadëshe, ekzaktësisht prej 26 vitesh, e Partizanit për titullin kampion në futbollin shqiptar mori fund këtë të dielë, me suksesin domethënës në derbin e kryeqytetit.

“Demat e kuq” u imponuan 2-1 ndaj Tiranës në stadiumin “Selman Stërmasi”, në një përballje emocionuese që përveçse zyrtarizoi fronin, detyroi rivalët bardheblu të komplikojnë rrugën e mbijetesës.

Ëndrra e çdo tifozi të Partizanit u materializua me vërshëllimën e fundit në tapetin e blertë në kryeqytet, aty ku skuadra e trajnerit Gega mori fitoren duke rrëmbyer edhe titullin, 3 javë nga fundi.

  Partizani shpallet kampion i Shqipërisë pas 26 vitesh (Foto)

Pas një nisjeje të parë të kujdesshme, por me grintë, shifrat u zhbllokuan në favor të “të kuqve” me një predhë të Çinarit nga distanca. Por, pa shkuar në pushim, Greca arriti të barazonte për Tiranën, ndërsa gjysma e tifozëve ishin impenjuar edhe në llogaritë e mbijetesës me sfidat e tjera në të njëjtën kohë.

Të dy ekipet kërkuan me ngulm golin e fitores, por një vendosje e keqe e mbrojtjes së Tiranës dhe dalja e gabuar e portierit ishte “kokteji” që i shërbeu Partizanit titullin. Çinari shënoi sërish për “të kuqtë” që mbrojtën me fanatizëm fitoren. Në fund, fusha u pushtua nga qindra tifozë, që festuan me lojtarët dhe stafin kthimin e titullit në kryeqytet pas 9 vitesh, por këtë herë në spondin e kuq.

“Është një vit i tërë dhe në momente të vështira e të caktuara ndoshta kemi bërë ndryshe nga ekipet e tjera. Këtë sukses ia dedikoj brezit tim, trajnerëve të mi që më kanë edukuar dhe kanë kontribuuar te formimi im profesional, nga Loro Boriçi e deri te Neptun Bajko, Hasan Lika. Edhe për ata jam krenar”, u shpreh trajneri i Partizanit, Skënder Gega.

“Partizani e ka merituar totalisht fitoren. Ne s’kemi bërë asgjë në fushë. Një nga gjërat që diskutova në pushim të ndeshjes ishte fakti që Partizani po luftonte shumë, ndërsa ne jemi për mbijetesë dhe duhet të luftojmë dy herë më fort. Realisht kjo nuk ndodhi. Mora vesh që e kishte kthyer Gjirokastra (Luftëtari) ndeshjen…vazhdojnë ato rezultatet e çuditshme”, deklaroi Ardian Mema, trajner i Tiranës.

Tirana ndërkohë sheh për herë të dytë në histori t’i afrohet makthi i rënies, pasi fitoret e Luftëtarit dhe Kastriotit intrigojnë finalen e sezonit.

FOTO GALERI
12/14

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA