Një 44-vjeçar është aksidentuar pasditen e kësaj të diele, teksa lëvizte me automjetin e tij në aksin kombëtar Berat-Lushnje, pranë fshatit Poshnje.
Shtetasi nga Kosova, Dashamir Xh. humbi kontrollin e automjetit Audi CR8 me targa angleze, e pas disa rrotullimeve në rrugë ka përfunduar në kanalin në anë të rrugës.
Drejtues të mjeteve të tjera që kalonin në atë çast në të njëjtin aks i kanë ardhur në ndihmë shtetasit nga Kosova, i cili pasi është nxjerrë nga makina është transportuar për në Spitalin Rajonal të Beratit, nga ku konfirmohet se pavarësisht dëmtimeve të shumta në kokë, ai është jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë shkuar ekspertë të Policisë Rrugore, që po këqyrin vendin e ngjarjes për të zbuluar edhe dinamikën e aksidentit. Sipas ekspertëve të policisë, aksidenti dyshohet të ketë ndodhur për shkak të shpejtësisë së madhe të mjetit dhe lagështirës në rrugë nga reshjet e shiut. Policia konfirmon se 44-vjeçari nuk kishte konsumuar alkool, por është aksidentuar për shkak të mosnjohjes së mirë të rrugës.
Top Channel