Milani mori 3 pikë me mjaft vlera ndaj Bolognës, por nervat në shtëpinë kuqezi vijojnë të jenë të tendosura, veçanërisht mes trajnerit Gattuso dhe mesfushorit francez, Bakayoko.
Të dy u përplasën ditën e martë, pasi francezi mbërriti në stërvitje me një orë vonesë, duke u justifikuar se e kishte lënë karburanti i makinës në rrugë, por kjo nuk shmangu reagimin e ashpër të Gattusos, i cili mbylli skuadrën në grumbullim.
Më pas tekniku vendosi të lërë në stol Bakayoko dhe të aktivizojë nga minuta e parë mesfushorin argjentinas, Lucas Biglia, por ky i fundit ishte i pafat, pasi në minutën e 25-të kërkoi largimin nga fusha për shkak të një dëmtimi.
Gattuso u kthye menjëherë nga Bakayoko dhe i kërkoi të futej në fushë për të zëvendësuar argjentinasin, por francezi refuzoi, duke bërë që mes të dyve të niste një debat verbal, ku i pari u tërhoq trajneri i Milanit, për ta shtyrë gjithçka për në dhomat e zhveshjes.
Kujtojmë që Bakayoko është te Milani në formë huazimi nga Chelsea, pro me këtë veprim të fundit, duket se ka vulosur vendimin e kuqezinjve për të mos ushtruar të drejtën e blerjes së tij në fund të sezonit.
Top Channel