
Aaron Ramsey sezonin e ardhshëm do të luajë në Serinë A duke veshur fanelën e Juventusit. Por përpara se të zbarkojë në Torino, mesfushori uellsian i tha lamtumirën Arsenalit, skuadër me të cilën u aktivizua për 11 sezone.
Mesfushori uellsian zbriti në fushën e Emirates për të bërë përshëndetjen e fundit me pjesën tjetër të skuadrës dhe tifozëve të Topçinjve të Londrës që ishin të pranishëm duke u pushtuar nga emocionet e forta duke mos evituar dot shpërthimin e lotëve.
Pas përshëndetjes, Ramsey shkoi në drejtim të tifozëve duke dhënë autografë të shumtë për ta, ndërkohë që klubi i Arsenalit nëpërmjet një postimi në Twitter falenderoi mesfushorin 28 vjeçar për atë çfarë dha me fanellën e kësaj skuadre gjatë këtyre 11 sezoneve.
Ramsey që u transferua te Arsenali nga Cardiffi në vitin 2008, ka luajtur 369 ndeshje duke shënuar 64 gola e dhënë 62 assist. Kontrata e tij me londinezët skandonte këtë verë dhe ai nuk e rinovoi duke pranuar kalimin te Juventusi me parametra zero.
Top Channel