Këto tabela të vendosura pak ditë më parë në bashkinë e Finiqit me popullsi kryesisht minoritare greke nuk janë më.

Tabelat përcaktonin toponimin në gjuhën greke si gjuhë kryesore dhe më poshtë ishte e vendosur edhe në shqip.

Sipas kreut të bashkisë, Leonidha Kristo kjo renditje nuk kishte për qëllim nxitjen e konflikteve, por sipas tij është konform ligjit për minoritetet.

I kontaktuar përmes telefonit zoti Kristo tha se për momentin ndodhet jashtë Shqipërisë, ndërsa do ta ankimojë çështjen sapo të kthehet në bashki.

Autoriteti Shqiptar Rrugor hoqi nga të gjitha rrugët tabelat e vendosura për emërimet e fshatrave në shqip dhe greqisht, nga akset që prej Muzinës deri në fshatin Vagalat.

ARRSH ka sqaruar se në bashkëpunim me Policinë e Shtetit janë hequr 35 tabela që ishin vendosur jashtë standardeve të përcaktuara në kodin rrugor dhe pa miratimin e këtij institucioni.

“ARSH konstatoi se tabelat e vendosura në këtë aks nacional cënonin mbrojtjen e sigurisë rrugore të përdoruesve të rrugës, ku shumica prej tyre pengonin shikueshmërinë e tabelave rrugore paralajmëruese.”- tha ARRSH.

Po ashtu tabelat teknike nuk plotësonin specifikimet teknike të përcaktuara në ligj për sa i përket renditjes së emërtimeve në gjuhën shqipe dhe atë minoritare, ngjyrës dhe madhësisë së shkrimit të përdorur.

Në bashkinë e Finiqit me rreth 40 mijë banorë, popullsia rezidente nuk i kalon të 7 mijët.

Lidhur me heqjen e tabelave në dy gjuhë në fshatrat e minoritetit të bashkisë Finiq burime diplomatike greke theksojnë se si ambasada greke në Tiranë ashtu edhe ministria e jashtme janë në kontakt me organet shqiptare dhe kanë përcjellë pozicionimin e qartë të Greqisë për këtë çështje.

Heqja e tabelave ka që në mëngjes që ndodhet në faqet e para të mediave greke. Ndërkohë organizata OMONIA, e ka konsideruar provokim të rëndë nga ana e qeverisë Rama heqjen e tabelave në zonën minoritare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA